Kryetari i PD Lulzim Basha ndodhet në Kukës nga ku i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Mësohet se kreu i opozitës ka thënë gjithashtu se Kukësi është qyteti më i diskriminuar dhe i goditur nga qeveria. Basha premtoi që kur demokratët do të vijnë në pushtet do të heqë taksën e kombit dhe se do të përmirësojë vendin në mënyrë që të rinjtë të mos largohen.
“Rama të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe t’i lërë të lirë qytetarët që të zgjedhin. Jo vetëm PD-ja, por e gjithë Shqipëria i ka borxh Kukësit. Është qyteti më i diskriminuar, por është vendi që i jep dritën jeshile, prodhon të gjithë energjinë e Shqipërisë. Asnjë tra, asnjë pengesë nuk do të ketë. Do të keni vetëm lehtësira dhe mundësi, por në fillim duhet të fitojmë betejën që sapo ka nisur”, u shpreh Basha.
Më tej ai ftoi të rinjtë kuksianë, që të mos emigrojnë drejt Anglisë, si një pjesë e madhe e të rinjve duke u premtuar se do ta “qërojnë atë që po detyron shqiptarët të largohen”, referuar këtu kryeministrit Edi Rama.
“Mos u largoni drejt Anglisë, atë që do të zbrasë Shqipërisë do ta qërrojmë. Nuk do ta lejojmë Shqipërinë që të zbraset nga ky brez i mrekullueshëm. Edhe çështjen e universitetit do ta kemi në plan, ashtu si dhe në zonat e tjera ku janë mbyllur universitetet”, tha Basha.
/a.r











