Lulzim Basha është i pavendosur për nënshkrimin e një koalicioni zyrtar me LSI-në e drejtuar nga Monika Kryemadhi.
Nuk është se ndryshimet e reja në Kushtetutë që parashohin listat e hapura dhe një listë unike koalicioni për zgjedhjet parlamentare kanë ndikuar në këtë qëndrim të liderit të PD.
Që para zgjedhjeve të qershorit 2017, Basha përmes deklaratave publike është shprehur kundër një aleance me LSI.
Përtej akuzave se është e keqja më e madhe në vend dhe se LSI është një parti që mbështetet në blerjen e votës apo e inkriminuar, politikanët tanë i kanë kapërcyer këto “tabu”, Basha ka vendosur në bazën e kundërshtisë së tij për koalicion zyrtar me Monika Kryemadhin rezultatin e kalkulimeve politike.
Një aleancë e mundshme me LSI do të gërryente akoma më shumë vota nga “trupi” i PD, duke prezantuar një raport të zhdrejtë votash e mandatesh në Kuvend, me uljen e numrit të deputetëve të PD dhe në një asimetri të plotë, rritjen e numrit të ligjvënësve për aleaten e saj në tentativë.
Teksa vendi ka hyrë në vitin elektoral dhe duhen zyrtarisht më pak se tre muaj që presidenti Ilir Meta të dekretojë datën e zgjedhjeve parlamentare në prill apo maj të vitit të ardhshëm, referuar dhe ndryshimeve në Kushtetutë, Basha nuk i është përgjigjur ende kërkesës së vazhdueshme të Monika Kryemadhit për nënshkrimin e një marrëveshjeje koalicioni PD-LSI, qoftë dhe në parim.
Ndërkohë që dhe baza e partisë po ushtron presion të fortë që PD të dalë e vetme në zgjedhje. Ndoshta vetëm me aleatët e saj traditcionalë, pasi janë të bindur do të marrë maksimumin e votave që kjo parti ka në dispozicion. Madje mund të rikthejë dhe votat që në zgjedhjet e fundit shkuan për LSI-në.
Pavendosmërinë e tij për të nënshkruar një marrëveshje të shkruar me LSI, të cilën po e tërheq “zvarrë” për vite me radhë, Basha e shpreh dhe nëpërmjet përbërjes së anëtarëve të Komisionit të përzgjedhjes së kandidaturave për deputetë dhe kryetarë bashkie.
Koncidencë apo një strategji e liderit të PD, dhe përzgjedhja e anëtarëve të këtij Komisioni në PD i vjen për “osh” taktikës së përjashtimit të LSI nga koalicioni parazgjedhor me partinë më të madh opozitare.
Tre nga anëtarët e këtij Komisioni, përkatësisht Genc Ruli, Besnik Mustafaj dhe Mark Marku janë kundërshtarë të koalicionit të PD me LSI.
Madje dhe përzgjedhja e kandidatëve për deputetë nga lista prej mbi 3 mijë propozimesh nga baza e partisë konkludon në shifrën e 140 emrave.
Të cilët përtej diskutimeve që “hanë” për peshën elektorale që kanë, nuk lënë asnjë vend për listën e LSI, e cila sikurse bëjnë të ditur burimet brenda kësaj partie arrin në 60 kandidatë.
Dhe kur ke një “usta” të shifrave si Genc Ruli kundër përfshirjes së LSI në koalicion me PD, është thuajse e pamundur të kundërshtohet logjika e tij e numrave dhe politike në këtë rast.
Genc Ruli ka qënë në mënyrë të vazhdueshme, kundër një aleance me LSI, teksa kohë më parë ka deklaruar se opozita ka vetëm një rrugë për fitoren në zgjedhje, rrugë në të cilën partia e udhëhequr realisht nga Ilir Meta nuk ka vend.
“Unë se di kush e ka shtruar çështjen për koalicion, por dua të them për më tepër PD është një forcë politike historike, në pushtet ka ardhur dhe është mbajtur ne pushtet me votën që ka marrë nga elektorati i saj dhe për më tepër në këtë “komplikim” që i është bërë skenës politike shqiptare ku kemi 3 faktorë, kemi PD, LSI e PS.
Unë do thoja që do ishte mirë të shkëputeshim nga një fenomenologji që ka nisur nga 2009-ta, të treja këto forca të konkurronin me flamurin e tyre dhe të merrnin votat që u takon dhe jo të dilnin para elektoratit me formula koalicionesh.
PD padyshim duhet të dalë e vetme para elektoratit, e vetme me të gjithë aleatët e mundshëm që ajo do mund të grumbullojë, partitë që kanë qënë tradicionalisht aleate të saj dhe të matet para shqiptarëve me besim, unë kam besim, të matet pikërisht me votën e saj në skenën politike”, është shprehur kohë më parë Ruli.
Në të njejtën linjë ka qënë dhe ish ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, për të cilin me pak fjalë LSI në aleancë me PD është një “mish” i huaj tek e djathta shqiptare.
“Një koalicion me Ilir Metën nuk mund të ketë një program 100% të djathtë sepse Meta do të jetë partia e dytë e koalicionit dhe për pasojë do të ketë peshën e saj në program.
Nuk besoj se është momenti që unë t’i bëj biografinë Ilir Metës dhe realisht nuk e ndiej të nevojshme. Nëse unë do të isha këshilltar i Bashës në momentin që bën koalicion unë do t’i thoja që duhet të bënte një koalicion të qëndrës së djathtë, pra që nuk presupozon Metën”, ka deklaruar jo shumë kohë më parë Mustafaj. Qëndrimi i cili ende nuk është “revizionuar” deri më tani.
Njëherësh dhe anëtari tjetër i këtij Komisioni, Mark Marku është shprehur me tone të forta kundër një aleance të mundshme me LSI.
“Në momentin që ka hyrë në koalicion me PD ka marrë parasysh gjithë detyrimet që rrjedhin prej saj, kjo nuk do të thotë të marrë përfitime që si takojnë apo të njollosë pushtetin me afera korruptive që kanë pasur një impakt të madh në publik.
Ne kemi mundësi për të manovruar, fati jonë s’varet nga dora e LSI. Edhe nëse ndodh një përmbysje e mazhorancës, ne kemi mundësi më tepër, Rama nuk krijon dot një mazhorancë. PD ka vota të mjaftueshme edhe nëse do përballemi me zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar Marku jo shumë kohë më parë.
Pra të rikthyerit në PD, që kanë marrë përsipër përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të kësaj partie, nuk e shohin të arsyeshme një aleancë me LSI, e cila do të dominonte listën e përbashkët të kandidatëve në zgjedhjet e radhës.
Për më tepër që nuk shohin asnjë mundësi shtimi votash për koalicionin, por vetëm “interferime” të votave nga njëra parti tek tjetra. Ku PD del e humbura në këtë rast. Zgjedhjet e 2017 janë prova më e qartë.
Të gjithë këto elementë që përmendëm kanë ndikuar dukshëm në pavendosmërinë e Bashës për të nënshkruar një marrëveshje zyrtare koalicioni parazgjedhor me LSI.
Kjo duket dhe në faktin se si Basha ashtu dhe Meta kanë heshtur për ndryshimet Kushtetuese për listat e hapura dhe koalicionet, që kanë hyrë në fuqi një ditë më parë.
Ndërkohë që dhe presidenti Ilir Meta, i cili e sheh të ardhmen post-presidenciale në krye të LSI, duket se është pajtuar me mundësinë në shuarje të një aleance të LSI me PD, po kalkulon një strategji goditjeje dhe afrimi me të dy blloqet e mëdha politike.
Ndërkohë që nuk lë rast pa sulmuar kreun e qeverisë Edi Rama, përmes kthimit të ligjeve në Kuvend, akuzave për shpopullimin e vendit e deri tek goditja “nën brez” përmes zyrtarëve të LSI, të mundësisë së negociimit nga ana e Ramës si kryesues i OSBE për zgjidhjen e krizës në Bjellorusi, nuk ngurron të lëshojë dhe mesazhe pajtimi.
I tillë ishte rasti i një dite më parë! Teksa sulmonte qeverinë dhe ministrinë e Shëndetësisë për “eksodin” e mjekëve nga Shqipëria, akuzë e bazuar në një raport të OKB-së të vitit 2016, po dje Meta dekretoi të 12 rektorët e universiteteve të kundërshtuar jo vetëm nga Basha dhe lidershipi i PD por dhe nga vetë LSI. Ndonëse pas dekretimit nuk pati asnjë deklaratë kundër këtyre dekreteve.
Meta po tenton që përmes presionit ndaj Bashës dhe Ramës, të garantojë jo vetëm një maksimum votash për LSI-në në zgjedhjet parlamentare të pranverës së ardhshme, por dhe një fiksim koalicioni qeverisës pas zgjedhor, ende pa u dekretuar data e zgjedhjeve.
Sinjalet janë të qarta! Sa është e mundur ta realizojë apo ta mbajë fjalën, mbetet për t’u parë. Në vitin 2009 bëri një kapërcim të papritur, duke bërë aleancë qeverisëse me armikun-mik të tij Sali Berisha dhe lënë PS-në në opozitë!
(M.Nikaj)