Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me qytetarë që kanë kaluar koronavirusin, ndërsa ata treguan eksperiencën e tyre.
Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat tha se PD ka ofruar zgjidhje me disa propozime.
Mes të tjerash Basha tha se nëse këto propozime do të ishin adoptuar, vendi ynë nuk do të ishim këtë situatë.
Bisedimi i plotë i Bashës sipas zyrës së shtypit të PD:
Lulzim Basha: Së pari dua të shpreh kënaqësinë që jemi bashkë këtu dhe secili prej jush e ka kaluar COVID-in e shpresoj të jeni sa më mirë e rikuperim sa më të shpejtë që ky infeksion mund të ketë pasur tek ju apo familjarët tuaj.
Së dyti, në kuadër të takimeve që po bëjmë për të ndërgjegjësuar njerëzit për të pasur kujdes në radhë të parë, por dhe për të parë sesi po përballohet situata e pandemisë edhe nga njerëzit edhe nga familjarët, nga pikëpamja shëndetësore, nga pikëpamja ekonomike dhe çfarë duhet bërë tani që pandemia po merr përmasa shumë të frikshme.
Ndaj sot të flasim sa më hapur mbi përvojat që keni pasur personalisht. Çfarë ka ndodhur? Sa ju është gjendur pranë shteti apo sistemi shëndetësor dhe çfarë do të kishit dashur apo çfarë do të donit të ishte ndryshe për të ndihmuar apo për të ndihmuar njerëzit në nevojë të cilët edhe sipas raportimeve zyrtare po shtohen në mënyrë të frikshme?
Kryesisht nga pikëpamja shëndetësore e kam këtë pyetje, por padiskutim edhe nga pikëpamja ekonomike sepse e kemi thënë që një nga problemet kryesore është që paketa e ilaçeve për trajtimin e sëmundjes është e parimbursueshme dhe fatura për trajtimin e saj është shumë e lartë. Tani unë këtë e kam thënë duke e dëgjuar nga njerëz si ju, duke dëgjuar specialistët. Po më mirë se kushdo tjetër, sot mund të flisni ju. Mund të flisni ju e unë të ju dëgjoj, të ju dëgjojnë edhe shqiptarët në mënyrë që së bashku të vetëdijësohemi, të bëjmë çfarë është më e mira për vendin tonë për tu mbrojtur. Por po kështu të ushtrojmë presionin maksimal që të ndërgjegjësohen ata që kanë në dorë vendimet për të ndihmuar mjekët, infermierët, shëndetësinë, dhe mbi të gjitha pacientët dhe familjarët e tyre.
Qytetari Muharrem Poleshi: Në datën 18 shtator më ka përfshirë dhe mu COVID dhe të them të drejtën jam vënë deri para vdekjes. Kam kaluar të gjitha simptomat që kam dëgjuar të paktën në rrjet. Të gjitha më kanë përfshirë. Me temperaturë 39 e gjysmë, me kollë, me mushkëri të bllokuar totalisht, isha gati për intubim. Telefonova 127 që sot këta e bëjnë si urgjencë heroike, 7 herë e kam të regjistruara për fat në telefon, 7 herë dhe nuk mu përgjigj kush. Ditën e tetë mu përgjigj një mjek dhe më tha: nuk jemi ne ata që ju shërbejmë ju. Mund të lidheni me Institutin e Shëndetit Publik. Unë nuk kisha asnjë lidhje me Institutin e Shëndetit Publik. Vajta tek mjeku i familjes. Çava me shpenzime private shumë marramendëse. Vetëm 30 gjilpëra më kanë kushtuar 1 milion e 800 mijë lekë. Është me të gjitha rregullat nëpërmjet mjekut të familjes që kam marrë. Falë një djali që kam në Angli, me lekët e mija i kam ble, 80 gjilpëra kam bërë në trup, pa lëri kokrrat e të gjitha ilaçet. Asnjë gjë. Të gjitha me lekët e mija. As rimbursim, absolutisht, absolutisht asgjë. Të gjitha me lekët e mija. Thashë, falë një djali që kam në Angli dhe mjerë ai që nuk ka djalin në Angli se në Shqipëri nuk blihen ilaçet, nuk merren kokrrat, vdes. Prandaj po vdesin njerëzit ditë për ditë. Asnjë nuk e di. Të paktën shteti i pari, shteti, shëndetësia falas. Unë nuk e dua falas, po hajde më trego të paktën. Ore të paktën në formën njerëzore hajde më thuaj t’i ke këtë, do këtë, këtë, këtë, ik blejë se nuk e kam unë.
Lulzim Basha: Unë të falenderojë për ardhjen edhe për tregimin dhe rrëfimin e historisë tënde.
Qytetari Muharrem Poleshi: Shumë faleminderit
Lulzim Basha: Shyqyr Zotit që pavarësisht radhës së lartë të vuajtjeve, dhimbjeve me të cilën e ke kalu, të uroj shërim dhe rikuperim sa më të shpejtë ty edhe shpresoj që kjo e keqje që ti ke kalu të kufizohet sa më parë, njerëzit të ruhen dhe qeveria të bëjë detyrën e saj.
Qytetarja Amarda Hanku: Unë jam në punë, mësuese. Kur mu shfaqen simptomat në moment mora mjekun e familjes edhe drejtoreshën e shkollës dhe i thash se unë nuk vij në shkollë sepse kështu është situata. Pasi i kam lajmëru më erdhën më bënë tamponin dhe përgjigjen ma kanë dhënë të hënën në orën 10 të darkës, që ja pozitiv. Pastaj doktori më dha kurën plus. Vazhdova kurën por në momentin që mora përgjigjen e tamponit që ishte pozitiv aty ishte..
Lulzim Basha: Moment i rëndë psikologjik.
Qytetarja Amarda Hanku: Aty ishte domethënë, ana psikologjike në zero, sa i thirra të dy fëmijët e mi dhe iu thashë: situata është shumë e keqe. Kam dhe babain 90 vjeç në shtëpi, i ra edhe atij gripi korona, doli pozitiv. U vetëizoluam pastaj bashkë me të. Ai e kaloi më lehtë sepse është i rregullt me ilaçet. Kurse unë nga ana psikologjike u rëndova, u bëra keq sa arrita deri atje sa caktova dhe vendin ku…
Lulzim Basha: Po fizikisht si ndihesh?
Qytetarja Amarda Hanku: Ndihem mirë se nuk e kalova, ndoshta ka qenë korona që kam marrë nga shkolla, nga fëmijët ka qenë i dobët si mund të themi dhe nuk e kalova domethënë as me oksigjen, por kura që mora tarifa e gjithçkaje që u përfshi këtu ishte mbi 700 mijë lekë.
Lulzim Basha: Nëse mund t’ju pyes sa i keni të ardhurat mujore?
Qytetarja Amarda Hanku: Të ardhurat?! Unë marr një rrogë 515 mijë lekë.
Lulzim Basha: Domethënë kura që tu desh të paguaje ishte më e madhe sesa rroga mujore?
Qytetarja Amarda Hanku: Po ishte më e madhe sesa të ardhurat.
Lulzim Basha: Sa ju zgjati e gjitha?
Qytetarja Amarda Hanku: 4 javë dhe dje kam vajtur në punë nga data 12 tetor.
Lulzim Basha: Si e paguat këtë, me kursimet me borxhe apo si e paguat këtë kurë?
Qytetarja Amarda Hanku: Babai merr pension kështu që…
Lulzim Basha: Kombinuat rrogat tuaja me pensionin…
Qytetarja Amarda Hanku: Pensionin me rrogën.
Lulzim Basha: Nga gjithë kjo që hoqe në qoftë se do të thoje një moment të vështirë, që do ta veçoje në qoftë se do të kishe pasur nevojë për ndihmën e shtetit cila do të ishte? Cila është më e rëndësishmja?
Qytetarja Amarda Hanku: Ishte ajo pjesa e ilaçeve duhet të ishte falas.
Lulzim Basha: Rimbursimi i ilaçeve.
Qytetarja Amarda Hanku: Edhe nga ana psikologjike duhet një psikolog që të jetë aty i pranishëm që të jap pozitivitet.
Qytetari Aldi Gjurbavija: Atëherë ditën e martë ka qenë data 7 korrik, unë me nusen dhe gocën e vogël ikëm me pushime në Vlorë. Në darkë kur mbërrita unë kisha ethe dhe ndjeja se kisha temperaturë dhe me thënë të drejtën u shqetësova pak se duke dëgjuar gjërat për COVID-in ishte diçka që nuk mund të merrej shumë lehtë dhe shumë kollaj. Mora ato mjekimet e para paracetamol…
Lulzim Basha: Qëndrove në Vlorë apo u ktheve?
Qytetari Aldi Gjurbavija: Qëndrova në Vlorë meqenëse kisha rezervuar apartamentin me qira aty dhe mendoja ishallah nuk është COVID, mos është ndonjë ftohje ose diçka tjetër. Të nesërmen kur u ngrita isha me 39 e gjysmë, nuk isha i zoti të ngrihesha nga krevati, por duke marrë mjekimet më binte temperatura 37 dhe thashë ndoshta 2-3 ditë, unë kisha shkuar për 10 ditë me thënë të drejtën, ndoshta 2-3 ditë më kalon. Kjo zgjati deri ditën e premte. Ditën e premte temperatura 40 dhe nuk zbriste nën 38 e gjysmë, domethënë nuk zbriste më poshtë pavarësisht se marr mjekime. Marr mjekun e familjen meqenëse kemi pasur dhe takime të shpeshta me të dhe njihemi mirë dhe më thotë mos e ki problem, merr 3 ditë Azitromicinë thotë, vitaminë, vitaminë D 1000 dhe besoj pas tre ditësh ja ke hedh nuk ke problem. Filloj të premten, të shtunën asnjë përmirësim i them nuses ta marrim këtë të bëjmë tamponin se nuk e di si po shkon kjo punë, mos është problem COVID-i dhe po shkon më keq. Marrim 127, na përgjigjen dhe thonë shiko ke këto simptoma duhet të rrish disa ditë të presësh. Merr mjekime, paracetamol etj, domethënë më japin disa lloj ilaçesh ça duhet të marr. A ke marr antibiotik? Po i them kam marrë Azitromicinë. Shumë mirë, – tha, – pa problem. Për sa ditë? Për tre, në qoftë se nuk kryen për tre ditë merr dhe tre ditë të tjera, 6 ditë se aq është kura tamam. Ditën e diel unë, zgjohem nga krevati për të lëviz pak nëpër shpi, ndiej një marrje fryme që s’e kisha provuar ndonjëherë në jetën time. Ishte diçka shumë e temerrshme. Shtrihem në krevat dhe dua 15 minuta për të marrë veten. Marr përsëri 127-ën dhe i them: kam marrje fryme, jam keq, jam në Vlorë. Nuk kemi ça të bëjmë thotë, eja në Tiranë dhe do ta shënojmë emrin. Këto 2-3 ditë do të vijmë për tampon sepse ka radhë të madhe. Unë i thashë jam keq më merret fryma dhe ndiej se po iki nga kjo botë, të lutem më ndihmo. Në Vlorë nuk kemi ça të bëjmë, më tha. E para duhet të vish në Tiranë më tha, të regjistrohesh dhe pastaj ne do tua sjellim 127-ën për t’ju bërë tamponin në shtëpi. Si përfundim të dielën e kalova ashtu dhe ditën e hënë nisem pa u bërë java për Tiranë. Kur kam parkuar makinën në parking jam shtrirë në tokë. Kur kam dalë nga makina jam shtrirë në tokë, kam dashur 20 minuta, më shikonin njerëzit te parkingu ça ka ky dhe kam përfunduar te një klinikë private sepse të prisja tamponin nuk kishte sens. Shkoj aty, më vizitojnë dhe mjeku më thotë se dyshoj për COVID, duhet të bësh skanerin. Ku ta bëj skanerin? Po bëje diku më thotë o në shtetëror ose këtu. Shkoj te shtetërori, atë ditë nuk punonte, kështu që mu desh të shkoja prapë në një vend tjetër privat, spital privat për ta bërë. Edhe aty me shumë problem se kur merrnin vesh që unë jam me temperaturë dhe Covid nuk donin të më pranonin, domethënë ishte dhe ky një problem tjetër për ti dhënë zgjidhje. Kur e çoj skanerin, doktori sa e pa, ti je për spital tha, vëllai im të jesh tha un nuk kam ça të bëj tha. Më dha mjekimin. Mjekimi ishte shumë i fortë, ishte dy antibiotik, dy herë në ditë që u merrte venoz jo me gjilpëra. Kushtonte 70 mijë lekë në ditë, më ka kushtuar mua me gjithë infermieren, për 12 ditë.
Lulzim Basha: 70 mijë në ditë!
Qytetari Aldi Gjurbavija: 70 mijë lekë të vjetra në ditë me gjithë infermieren që merrte 15 mijë lekë për të bërë dy herë në ditë që vinte në mëngjes dhe në darke për të bërë serumin plus antibiotikët që ishin prape 500 ml serum.
Lulzim Basha: Sa të zgjati kjo kurë?
Qytetari Aldi Gjurbavija: 12 ditë më zgjati. Domethënë diku te 840 mijë lekëshi në qoftë se duam të bëjmë një përllogaritje vetëm këto, jo gjërat e tjera. Jo skaneri 240 mijë lekë, jo analiza gjaku që kam bërë. Gjatë 12 ditëve kam shkuar 4 herë te klinika për të parë PCR, për të parë ecurinë e shumë të tjera. Pas 4-5 ditësh që kam filluar mjekimin ka filluar të normalizohet frymëmarja dhe të vijë në vete. Kur unë kam ardhur nga Vlora, mami ishte dita e parë, dita e dytë që kishte filluar shenjat e temperaturës. Po nuk i kishte shenjat si të mia, i kishte ndryshe. Mori 127-ën për të bërë tamponin, u mor vëllai se unë nuk isha, isha i pafuqishëm për ta ndihmuar, domethënë isha i mbaruar fare. U mor vëllai dhe thanë nuk ka ndonjë problem, merrni këto mjekimet në shtëpi, kështu, kështu, kështu, fola dhe me doktorin që më ndiqte mua, dhe tha bëja këto gjëra, por tha është pak problematike sepse vuan nga diabeti dhe duke qenë se vuan nga diabeti, duhet të ndiqet në një mënyrë më të specializuar. Ja them këto fjalë vëllait dhe kërkojmë që ta çojmë në një spital privat, s’po japim emra për etikë, dhe ato nuk e pranojnë duke qenë se ishte me temperaturë dhe kishte dyshimet për COVID, pasi tampon nuk kishte bërë. Prapë edhe për mamin, tamponin nuk ja bënin, pavarësisht se më morën në telefon 3-4 herë, janë telefonat, tabulatet, janë të gjitha domethënë që mund të vërtetohen, verifikohen.
Lulzim Basha: Çfarë thonin që nuk i bënin tamponin?
Qytetari Aldi Gjurbavija: Po të kalojë këtë, nuk është temperaturë e lartë, e kalon në shtëpi me një mjekim kështu, nuk keni pse të shqetësoheni, jo mund të mos jetë dhe COVID, mund të jetë dhe një virus stine etj, etj. Si përfundim më datën 21 korrik më lajmëron vëllai dhe thotë mami është shumë rëndë. Erdhi urgjenca, shkoj në spital, bëri skanerin, doli me mushkëri prapë me probleme. Diabeti i lartë, i kaloi 12 ditë. Ditën e 12 na thotë doktori, besoj ja ka hedhur, është mirë, ishte ditë e shtunë. Ditën e hënë thotë, do ta nxjerrim nga spitali. Dua të shtoj këtu se gjatë gjithë këtyre ditëve, deri në datën 3 që ka qenë ditë e hënë, 3 gusht, me mamin unë kam fol më pak se një minutë në ditë, që ma nxirrte një infermiere. Them e kam parë, se më dtën 4 gusht ditën e martë, kur ne prisnin me e nxjerr, na lajmëruan që ajo vdiq. Na ka ngel enigmë, dhe unë nuk e di se si domethënë…
Lulzim Basha: Domethënë, pasi qëndroi dy javë në spital, ndërkohë ju prisnit që të dilte, ndërroi jetë?
Qytetari Aldi Gjurbavija: Ne kërkonim një karrocë që ta nxirrnim me karrocë sepse ishte e pafuqishme, ishte dobësu, dhe doktori që e ndiqte doli aty jashtë tha dëgjo: ditën e hënë ne do e nxjerrim, do pak kujdes tek shtëpia, sepse normalisht ka kaluar probleme etj., etj. Ditën e hënë tha është mirë, për një muaj e merr veten dhe bëhet siç ka qenë në fillim. Në rregull, faleminderit. Ditën e hënë ne na marrin në telefon, është shumë rëndë tha doktori, ka kaluar ishemi celebrale, dhe në mëngjes duke u gdhirë e marta, domethënë që u bënë dy javë fiks, ndërroi jetë.
Lulzim Basha: Ngushëllimet e mia dhe një herë!
Qytetari Aldi Gjurbavija: Faleminderit!