Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart.
Përmes një postimi në facebook, kryedemokrati zbulon detaje nga takimi i mbajtur në selinë blu, duke theksuar se ndau me kryediplomatin austriak proritetet e PD-së për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të të ndershme, si dhe proritetin për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjithashtu Basha thekson se e siguroi ministrin Linhart se anëtarësimi i Shqipërisë në BE mbetet prioritet absolut i Partisë Demokratike, si garanci për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët shqiptarë.
“Me kënaqësi prita Ministrin për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Austrisë, Z. Michael Linhart, të cilit i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e çmuar dhe të kahershme të Austrisë për Shqipërinë , e në veçanti në përpjekjen tonë historike për integrimin në Bashkimin Europian .
Ndava me të prioritetet e Partisë Demokratike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për prerjen e lidhjeve të politikës me krimin, që për shumë gjatë e kanë penguar dhe vonuar rrugëtimin tonë drejt BE-së.
Jam i lumtur që me Ministrin dhe përfaqësuesin e simotrës tonë Partisë Popullore të Austrisë, bashkëndajmë bindjen se Bashkimi Europian është alternativa e vetme për rajonin, si dhe e sigurova se anëtarësimi i Shqipërisë në BE mbetet prioritet absolut i Partisë Demokratike, si garanci për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët shqiptarë”, shkruan Basha në facebook.
g.kosovari











