Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se bëri një skenë me doganat, për të mbuluar vjedhjet. Rama shkarkoi tre zëvendësdrejtorë në drejtorinë e Doganave të martën, për shkak të performancës së dobët të këtij institucioni.
Për Bashën, është vetëm teatër që nuk e beson askush.
“Raportet kanë detajuar skemat e vjedhjes dhe përhapjen e saj në të gjithë sistemin. Kryepërgjegjësi u pëpoq ta mbulonte duke sulmuar opozitën. Dje e pranoi se qindra milionë dollarë janë vjedhur, por e hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke fajësuar disa punonjës doganash. A ka shqiptar që ta besojë se ngrihet trau i doganës për të kaluar kontrabandë pa urdhërin e Ramës?”.
Basha tha se nga vjedhjet në dogana e tatime vetëm për këtë vit buxhetit të shtetit i mungojnë 326 milionë dollarë.
“Vetëm për këtë vit mungojnë 326 milionë dollarë në buxhetin e shtetit nga vjedhja e këtyre kusarëve politikë. Dhe bën skena në oborrin e doganave. Tregon me gisht popullin e vet si kontrabandist, kur është vetë kryekontrabandisti. Situata në dogana shëndoshet vetëm nga largimi i tij nga kreu i qeverisë”.









