Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas intervistës së dhënë nga kryeministri Edi Rama për “Francë 24”.
Lideri i selisë blu e krahason kryeminsitirn me liderët autokratë të Lindjes.
Sipas Bashës, qëndrimi i Ramës për ta quajtur dhunën ndaj gazetarit Kasmi çështje të brendshme është i rrezikshëm.
Statusi i Bashës:
Qëndrimi i Edi Ramës për dhunën e policisë ndaj gazetarit Bledi Kasmi si çështje e brendshme që nuk meriton vëmendjen e medias ndërkombëtare është i dënueshëm dhe i rrezikshëm. Me këtë qëndrim, Edi Rama vetë-demaskohet si kryepushtetari që nxit dhe mbron dhunën ndaj njerëzve të medias. Paprekshmëria e jetës dhe lirisë së individit dhe liria e shprehjes janë vlera universale dhe themeli i sistemit demokratik perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Është e papranueshme jo vetëm për gazetarët dhe median e lirë shqiptare, jo vetëm për të drejtat e njeriut në Shqipëri, por edhe për aspiratën europiane të Shqipërisë të kemi një kryeministër të tillë që nuk ka lidhje me standartet minimale perëndimore por që ngjan si dy pika uji me autokratët injorantë dhe të dhunshëm të Lindjes. Edi Rama është sot pengesa kryesore e përparimit dhe integrimit europian të Shqipërisë.
/a.m.











