Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat një ditë pas protestës së dhunshme dhe seancës plenare me incidente. Sipas kreut të PD, dje nuk u zgjodh kryeprokurore Arta Marku, por vetë Edi Rama, me qëllimin për të mbuluar politikanët e lidhur me krimin. Basha e cilësoi nul votimin e djeshëm nga mazhoranca në Kuvend, duke shtuar se kjo zgjedhje antikushtetuese tregon se Rama është në panik se po dalin fakte të reja të lidhjes së Tahirit me bandat kriminale.
“Kur Kushtetua dhunohet, dhunohet çdo njeri, pavarësisht statusit. Protesta e djeshme dhe ajo që do vazhdojë janë shprehje të revoltës së qytetarëve kundër mashtrimit të Ramës me reformën në drejtësi. Në fakt, është provuar dje se Rama është i vendosur në rrugën e tij antireformë. Parlamenti nuk është ai që patë dje me një shumicë të marrë peng nga krimi dhe paratë e drogës. Parlamenti nuk është karriget apo kartonat e deputetëve. Ajo çfarë është e rëndë nuk është sjellja e opozitës në parlament, por sjellja e Ramës me kushtetutën, dhunimi i saj.
Ka vetëm një shkatërrim dhe dhunim, ai i Ramës ndaj kushtetutës. Kur vjen fjala te shteti i lirë dhe ligjor ka vetëm një standard, ai perëndimor. Në çdo vend të botës nëse do zbulohej që ministri i Brendshëm është koka e trafikut, qeveria do të ishte rrëzuar. Nuk tolerohet një situatë si në Shqipëri. Në çdo vend perëndimor Tahiri do të ishte në burg. Kushtetuta nuk lejon asnjë hapësirë tjetër përveç zgjedhjes së kryeprokurorit nga KLP. Kushtetuta kishte caktuar prillin e këtij viti si afatin e fundit për KLP. Pra duhet të ishte ngritur 8 muaj më parë.
E gjithë procedura është e sajuar nga Rama aty për aty, dhe jo e shkruar në ligj apo rregullore. Komisioni i Ligjeve uzurpoi kompetencat e një institucioni tjetër. Kushtetuta ndalon që kryeprokuror të zgjidhet dikush që nuk e ka kaluar vettingun. Kryeprokurori u zgjodh me më pak se 50% të votave, votimi është nul dhe i parregullt.
Prokurori i përgjithshëm është emërim politik i Ramës, dhe sot është vetë Rama kryeprokuror. Arsyeja është mbrojtja e vetvetes. Nuk ka njeri në Shqipëri të nuk beson se Rama dhunoi Kushtetutën, urdhëroi gardën të dhunojë fjalën e lirë në Parlament. Ngutja për të zgjedhur një prokuror pa vetting ka për qëllim mbulimin e njerëzve të akuzuar për trafik droge. Zgjedhja antikushtetuese është tregues i panikut të Ramës, pasi në politik po zbulohen fakte të reja se si Tahiri ka lidhje me bandat e drogës”, tha Basha.
A do ta ankimoni në Kushtetuese?
Kushtetuesja nuk është zjarrfikës e paqeruajtës. Është institucion juridik që interpreton paqartësi në raport me zbatimin e kushtetutës. Kushtetuta është e qartë, askush nuk duhet ta mendojë se kur kryeprokurori emëruar në shkelje flagrante me kushtetutën, zgjidhjet të vijnë përmes procedurave juridike apo apeleve. E vetmja zgjidhje për këtë krizë është përballje politike që do të vazhdojë në përfundim me sukses të plotë aspiratat e shqiptarëve.
Keni diskutuar për djegien e mandateve?
Opozita i ka diskutuar të gjitha opsionet dhe mbeten të hapura, ato do të jenë në përputhje me interesin më të mirë të shqiptarëve
/a.m.