Nga Ben Andoni
Ende askush nuk di pasojat e vërteta të pandemisë së Covid-19. Kur dëgjon dhe kupton se çfarë po ndodh realisht në Itali, SHBA, Gjermani, Francë, Spanjë atëherë bindesh për pasojat, që do të përballin vendet si Shqipëria. Prej apeleve të para të epidemiologëve dhe pastaj marrjes së masave të qeverisë Rama kaluan kohë, por askush nuk mund të thotë se masat e marra nuk kanë dhënë rezultat në Shqipëri, ashtu si nuk mund të thuhet se ato ishin më të mirat e mundshme. Përvojat e ndryshme, përballjet dhe zgjidhjet kanë treguar kurba të ndryshme infektimi. Por ky është një problem që i takon mjekëve dhe statisticienëve të mjekësisë, kurse ne të gjithë përballemi me të ardhmen. Të vetmit që duket se nuk e kuptojnë janë politikanët tanë.
Apeli i sotëm ndërkombëtar, ku askush nuk i di deri më tani pasojat në fund të tunelit, është fare i thjeshtë: politika vendase dhe ndërkombëtare duhet të ndryshojë për të përballur një katastrofë më të madhe. Të paktën, kjo mund të nuhatet në këto momente. “Ne po hyjmë në një botë të re të guximshme, në të cilën e ashtuquajtura “qeveria e madhe” dhe solidariteti ndërkombëtar janë të dyja të pashmangshme”, shkruan Joshka Fisher.
Në të gjithë botën industriale, veprimtaria ekonomike është ngrirë, duke e filluar me atë që sot e kanë të lehtë ta parashikojnë të gjithë: recesioni global. Tashmë, nuk pyet më njeri vetëm për numrin e të vdekurve dhe përballjen e sistemeve shëndetësore, por sesi dhe me sa shifra do të jetë rënia ekonomike. Modeli i BE-së tashmë është gati i goditur sa i përket solidaritetit nga përballja me COVID-19, sa i përket trajtës së respektit nga të drejtave të njeriut, etj.
Kështu, duke ardhur te Shqipëria, i gjithë debati politik tashmë është i kotë dhe fasha ideologjike, që përfaqësojnë është absurd. Përballja e të gjithëve do të jetë me varfërinë, por Basha dhe lloj-lloj politikanësh, pa harruar strukturat e maxhorancës dhe ligjvënësit e legjislaturës më të dobët të historisë së parlamentit shqiptar të Demokracisë, ende nuk e kuptojnë. Kujtojnë se do ta kenë ende të mundur të ruajnë biznesin e tyre politik, duke sajuar dhe bërë një luftë absurde parimesh me koperturë mbrojtje Covid-19 për të cilën nuk do t’ia dijë askush.
Shqipëria do të ketë gati fasha të tjera sociale për të cilat forcat e sotme politike do të jenë krejt të huaja, ashtu si politikanë të llojit Basha e të tjerë janë krejt të panevojshëm. Këtë duhet ta kuptojnë për të mirën e tyre, të partive që përfaqësojnë dhe pastaj vendit, të cilin e respektojnë më pak se çdo gjë tjetër.
Kjo të vjen ndërmend kur dëgjon politikanët e sotëm të Opozitës, pa harruar dhe patetizmin e zakonshëm të kryeministrit Rama, kinse staturën e presidentit Meta, që më kot duan të ngjallin diskursin e para pandemisë, një kohe, që do të duhen shumë vite për ta rikthyer pas, për të qenë sërish shkëlqimi i këtyre parazitëve, që e kanë dominuar jetën tonë në tre dekadat e fundit. Tashmë është koha e mjekëve, mësuesve dhe inxhinierëve. Ata, realisht, do të na duhen për të ardhmen. (Javanews)
Me ne fund nje mendjendrituri qe t’ha nje te vertete te madhe.Faleminderit mik