Kryetari i Partisë Demokratike, pas takimit me ambasadorin e SHBA, Donald Lu, deklaroi para shtypit se ai personalisht dhe partia që drejton janë të vendosur në luftën për dekriminalizimin e vendit.
“Gjendja është shumë e rëndë dhe arsyet e kësaj krize ekonomike, politike dhe psikologjike që ka kapur shqiptarët, rrënjët e së keqes, janë inkriminimi, korrupsioni i pandëshkuar i zyrtarëve të lartë, aftësia e krimit për t’iu imponuar vendimmarjes në çdo fushë të jetës”, tha Basha.
“PD dhe unë personalisht qëndrojmë të vendosur ta çojmë deri në fund aksionin e dekriminalizimit, për vënien para drejtësisë së ministrave, deputetëve, zyrtarëve të korruptuar, si parakusht për të kthyer besimin te drejtësia, për të krijuar zgjidhje të lira e t ndershme, ku qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin lirisht”.
Basha kërkon hartimin pa kushte të ligjit për dekriminalizimin dhe “largimin një orë e më parë nga parlamenti, bashkitë dhe institucionet të personave kriminalë”.
Ai premtoi për “luftë frontale kundër korrupsionit, vjedhjes së parave të shqiptare nga zyrtarët e lartë”.
“Në Shqipëri jo vetëm që vidhet haptazi, por hajdutët rrahin gjoksin”, tha Basha.
Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama për vjedhjen e 1 milion dollarëve në ditë, ndërkohë që shumica e shqiptarëve vuajnë për bukën e gojës.
Një nga opsionet që Partia Demokratike shtron në tavolinë janë zgjedhjet e parakohshme, të paraprira nga një qeveri teknike, por “sot për sot, ne kërkojmë dekriminalizimin e politikës”.









