Kryetari i Partisë Demokratike ka akuzuar qeverinë se nuk po asgjë per njerëzit, e ndërsa sipas tij papunësia ka arritur kulmin. Nga Durrësi, ku kandidatja e PD prezantoi programin Basha tha se forca e tij politike do tiu japë zgjidhje problemeve të qytetarëve. Basha tha se kjo është qeveria e lakut në fyt.
“Kam ndjekur me emocion këtë prezantim, e dija që Grida në këto ditë, në kontakt ka arritur të kap thelbin e halleve dhe problemeve. Ka bërë të mundur, ka arritur të formulojë zgjidhje konkrete për problemet e Durrësit. Me Grida Dumën këto nuk do mbete fjalë, po do jenë vepra. Halle të mëdha kanë pllakosur vendin. Shqiptarët përballen me shumë halle e probleme. Problemi më madhor është punësimi. Vendi është në krizë ekonomike. Rama tallet dhe bën shaka në mënyrë të sforcuar, nuk jep asnjë përgjigje për problemet për qytetarët. Përgjigjia jonë është për hallet tuaja”, deklaroi Basha.
Grida Duma: 15 mijë vende pune, ulim taksat vendore
Kandidatja e djathtë për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, gjatë fjalës së saj parashtroi pikat kryesore të programit të saj ku një ndër premtimet kishte të bënte me uljen e papunësisë. Kandidatja e opozitës premtoi 15 mijë vende të reja pune.
“Durrësi është një qytet që i jep nder gjithë Shqipërisë dhe duhet ti japë nder edhe punës sonë. Dhjetëfishohet sipërfaqja, por nga ana tjetër mundësitë janë të pamata. Luftë frontale ndaj papunësisë, krijim i vendeve të punës. Në të gjithë Shqipërinë përbën një problem, por në Durrës ky është problem i ethshëm. Misioni i tregut të punës, çdo familje duhet të ketë të paktën një person në punë. Për 4 vite ky problem duhet të jetë i zgjidhur. Do të hapim 15 mijë vende pune. Do të ulim taksat vendore”, tha Duma.
Ajo gjithashtu premtoi ngritjen e një agjencie lokale për turizmin si një nga kolonat e ekonomisë si dhe promovimin e Durrësit në tregun ndërkombëtar si një brand i ri.
“Agjenci bashkiake për turizmin, që është një nga kolonat e ekonomisë. Do të jetë gjithë kohës në monitorim. Do të bëjë të mundur koordinimin e operatorëve. Do të jetë përgjegjëse për hartën turistike. Promovimi i Durrësit në tregun ndërkombëtar. Të krijojmë brandin tonë. Shëtitorja do të rikrijohet e gjitha ku do të krijohet edhe ajo pjesë e munguar e plazhit publik. Do të rehabilitojmë kalatë. Ky qytet do të zgjohet me historinë e vet natën, duke krijuar historitë tona të reja”, tha Duma.









