Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar me tone të ashpra sa i takon deklaratës së djeshme të kreut të PD, Lulzim Basha, ku ky i fundit shprehu se fitorja e tij në 2011, i atribuohej vendimit për mbajtjen e liderit historik, Sali Berisha, larg nga fushata për Tiranën.
Nishani e ka quajtur Bashën gënjeshtar, i cili në 8 vite ka shkaktuar kaos dhe hallakatje brenda PD-së.
“Të nderuar miq, një gënjeshtar kongjenital jo vetëm që nuk mund të na udhëheq në ndonjë fitore por na shkaktoi në tetë vite, kaosin, hallakatjen dhe dekurajimin më të madh politik që kemi patur ndonjëherë brenda Partisë Demokratike.
Gënjeshtari kongjenital po thotë se ka fituar në 2011, Bashkinë e Tiranës, pa Berishën !
Si drejtues i shtabit elektoral për Tiranën, atë botë, me bezdiste deri në nervozizëm tek shikoja se si gjatë gjithë ditës, L. Basha i kërkonte S. Berishës ta udhëzonte, ti tregonte e ti mësonte edhe detajet më elementare për axhendën ditore dhe tezat e fushatës.
Ky nuk është thjesht qesharak, jo vetëm gënjeshtar kongjenital por një parazit politik me një kosto të madhe për të gjithë ne”, shkruan Nishani në një status në rrjetin social Facebook.
Më tej ai ka theksuar se 11 Dhjetori po vjen dhe se uragani, siç quan ai Foltoren e Berishës, po vjen me shpejtësi për të shpëtuar PD-në.
“11 Dhjetori 2021, po vjen me shpejtësi.
Uragani i njerëzve të ndershëm, trimave e patriotëve do të shpëtojë Partinë Demokratike.
Të ringremë PD për të shpëtuar Shqipërinë! “, shkruan Nishani./m.j












