Mbledhja jashtë radhe e grupit parlamentar të PD-së, ka prodhuar episode jo të zakonshme. Kryetari i PD-së, ishkryetari dhe pjesa më e madhe e deputetëve, qëndrimet e fundit të përfaqësuesve të BE-së në vend për reformën në drejtësi i kanë quajtur konspiracione të pastra ndaj opozitës. Ndërkohë “furisë” së deklaratave anti- evropiane u ka dalë kundër deputeti Eduard Selami, i cili i ka tërhequr vëmendjen kreut të PD-së, Lulzim Basha, se më këtë lloj qëndrimi opozita mund të prishë marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
Që në fillim të mbledhjes me dyer të mbyllura, kreu i PD-së, Lulzim Basha, fajin për dështim të reformës ia faturoi ndërkombëtarëve. Sipas tij vetë ndërkombëtarët kanë qenë në favor të vendeve të rezervuara dhe për këtë, ai thotë se ka edhe dokumentacion elektronik. Fill pas Bashës, deputeti Eduard Selami, i është drejtuar atij me pyetjen nëse PD-ja rrezikon të përplaset me faktorin ndërkombëtar pas qëndrimeve të Nuland, Mogherinit dhe Hahn, nëse nuk e voton reformën. Duke u shprehur para ligjvënësve demokratë, Basha ka vijuar më tej të thotë se Brukseli dhe konkretisht ambasadorja Romana Vlahutin, është rreshtuar në krah të mazhorancës, duke i dhënë madje edhe autorësinë e deklaratës së Mogherinit. Lulzim Basha ka qenë i detajuar në shpjegimet e tij përse opozita këmbëngul për formulën e vendeve të rezervuara. “Në 3 shkurt, Donald Lu dërgoi e-mail me 5 opsione, ndër të cilat dhe vendet e rezervuara. Në 14 shkurt i kthyem përgjigje me e-mail ambasadorit Lu, që PD bie dakord për vendet e rezervuara. Në 17 shkurt kjo i komunikohet PS-së”, thotë Basha. Pas fjalës së Bashës, e ka marrë fjalën sërish Selami, i cili këmbënguli që PD-ja të vazhdojë dialogun me ndërkombëtarët, pasi braktisja e negociatave, sipas tij, do të thotë prishje me ndërkombëtarët. Qëndrimi i Bashës është mbështetur dhe nga deputeti Arben Imami, i cili ka folur për konspiracion ndërkombëtar ndaj opozitës. Akuzat e demokratëve ndaj selive diplomatike i mbështeti dhe ish-kryeministri Berisha, kur foli për përfaqësues ndërkombëtarë, tha se të huajt qeverisë i raportojnë të kundërtën me atë që kanë rënë dakord me PD-në.
Trafikimi i votave, Basha kërcënon
Një çështje tjetër që është diskutuar në mbledhjen e grupit ka qenë dhe trafikimi i votave për reformën në drejtësi. Për të evituar rrjedhjen e votave, Basha u ka dhënë një paralajmërim të qartë deputetëve të PD-së gjatë mbledhjes së grupit. “Unë jam i sigurt që asnjë deputet i PD-së nuk trafikon votën, por po ndodhi kjo atëherë është fundi parlamentarizmit. Ne jemi opozitë që kërkon konsensus por në qoftë se edhe një deputet i PD-së voton, ne kalojmë në përballje totale deri në djegie mandatesh deri sa të zgjidhen institucionet e reja me zgjedhje të lira e të ndershme”, mësohet të ketë thënë Basha. Lulzim Basha nuk foli për mediat pas mbledhjes së grupit, por ish-kryeministri Sali Berisha foli. Ai nuk përmendi emra, por në një saktësim që ka bërë në Facebook, thotë se e ka për njërin prej ekspertëve të reformës në drejtësi.
Të dielën shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Federica Mogherini tha se çdo deputet është përgjegjës për votimin e reformës, por sipas kreut të opozitës deklarata e Mogherinit është shkruar në Tiranë, ndërsa për ambasadoren Romana Vlahutin, Basha tha se ajo është e rreshtuar qartë në krah të Qeverisë. Kur maxhoranca konfirmon se do të çojë draftin drejt Kuvendit dhe opozita këmbëngul në propozimin e saj për vendet e rezervuara, përpjekje diplomatike janë duke vazhduar paralelisht me një komunikim të nëndheshëm të ekipeve teknike për çështje të reformës. Ajo që përbën kuriozitet është se si do të sillet Uashingtoni dhe Brukseli pas qëndrimi të opozitës. A do të vijojë faktori ndërkombëtarë që të ngulë këmbë që të rikthejë dialogun në mënyrë që reforma në drejtësi të arrihet me konsensus.
Reagimi i Berishës
Ish-kryeministri Sali Berisha, pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, dha publikisht qëndrimin e tij për reformën në drejtësi. Berisha tha se opozita mbrëmë votoi reformën. “Për çdo shqiptar që i thotë dritës së diellit dritë, opozita shqiptare mbrëmë votoi reformën. E refuzoi njeriu që shkoi me një apo dy fjalime ne xhep. Por opozita votoi variantin që ia kanë sugjeruar ndërkombëtarët, votoi variantin që ia kanë premtuar ndërkombëtarët, votoi variantin që ndërkombëtarëve ia sugjeroi Edi Rama. Kjo është e vërteta, të tjerat janë mashtrime. Është mjerane, kur një përfaqësues ndërkombëtar raporton qeverisë së tij të kundërtën e asaj që i ka thënë vetë, por kjo botë është transparente”, u shpreh Berisha.
Replikat e plota në mbledhjen e grupit të PD-së
Lulzim Basha: Formulën e vendeve te rezervuara e ka propozuar vetë eksperti i OPDA-t në nëntor. Në 25 janar në drekën në rezidencën e ambasadorit Lu u shtruan disa nga opsionet e propozuara dhe në fund na u tha: Ju zgjidhni një që siguron moskapjen politike dhe ne do ta detyrojmë Ramën ta pranojë. Në 3 shkurt Lu çoi e-mail me 5 opsione ndër të cilat dhe vendet e rezervuara. Në 14 shkurt i kthehet përgjigje me e-mail Lu-së, që ne jemi për vendet e rezervuara. Në 17 shkurt i komunikohet PS-së. Të gjitha janë me e-mail me Lu, dhe në qoftë se është e nevojshme do të publikohen. Ne kemi qenë të qartë në këtë proces. Ne kemi kërkuar konsensus. Si Nuland dhe këshilltari i Merkel që fola para dy ditësh në tel janë të qartë. Këtë formulë e ka propozuar Rama, e ka konfirmuar Venecia e ne po kërkojmë atë që është rënë dakord.
Eduard Selami: Zoti Basha, nëse nuk e votojmë reformën dhe nëse vijoni me deklarata ndaj përfaqësuesve të BE-së, a rrezikon PD-ja të përplaset me faktorin ndërkombëtar, duke prishur marrëdhëniet? Nuk mund tu përgjigjemi në këtë formë partnerëve tanë. Ata janë të angazhuar prej kaq kohësh për ta mbyllur reformën, që sipas tyre është jetike. Unë kërkoj që të vazhdojmë dialogun me ndërkombëtarët, maxhorancën dhe popullin shqiptar për reformën në drejtësi.
Sali Berisha: Përfaqësuesit ndërkombëtarë të Bashkimit Evropian në Tiranë kanë mbajtur një qëndrim jo të drejtë. Duhet të ishin treguar më të rreptë ne qeverinë. BE raporton të kundërtën me atë na ka thënë në takimet që kemi zhvilluar për reformën në drejtësi.
Eduard Selami: Për mua braktisja e negociatave do të thotë dalje kundër ndërkombëtarëve dhe kundër reformës në drejtësi. Nuk kemi luksin të kemi kundër vetes parnerët e huaj.
Arben Imami: Duhet lexuar qartë ajo që tha zoti Basha. Është luajtur në mënyrë jo korrekte nga diplomatët e huaj. Nuk kanë qenë seriozë, sepse të tjera gjëra na kanë raportuar neve dhe të tjera qeverisë. Kjo vërehet dhe në deklaratat e tyre. Është bërë konspiracion ndaj opozitës.
Jozefina Topalli: Nuk kam besuar ndonjëherë të ndonjë marrëveshje e mundshme me këtë kryeministër. As te takimet e frytshme me të. Kam pasur dhe do të kem rezerva, sepse ai është një mashtrues dhe mesa kuptoj, në grackën e tij kanë rënë edhe ndërkombëtarët. Nuk mund t’i zësh besë një njeriu që nuk ka besë.
Arben Ristani: Një tjetër çështje shqetësuese për mua është garancia që ka sot Rama për të çuar në Kuvend e për ta votuar draftin edhe nëse nuk arrihet konsensusi. Madje ai pas takimit u pa i gëzuar. Ai nuk e kishte problem votimin me 2/3. Ku do t’i marrë votat ? Që të bëhen 93 vota duhet ta votojë dhe një pjesë e deputetëve tanë. Nuk duhet ta tolerojmë të ndodhë një gjë të tillë.
Lulzim Basha: Nëse edhe një deputet i opozitës voton një draft pa konsensus, kjo atëherë është fundi i parlamentarizmit. Ne jemi opozitë që kërkon konsensus, por në qoftë se edhe një deputet i PD-së voton, ne kalojmë në përballje totale deri në djegie mandatesh derisa të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk mund të pranohet kjo. Ata deputetë që votojnë pro reformës do tu hiqet e drejta për të qenë në listën e deputetëve në zgjedhjet e ardhshme.
Isuf Kurtaj/Shekulli.d i