Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se ai në politikë ka hyrë i pasur, si një parakusht për tu mos u shantazhuar nga skush. Në një intervistë për emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës, lideri i opozitës theksoi se para hyrjes në politikë ishte shumë më i pasur se c’ është tani.
“Ky ishte një parakusht që i kisha vënë vetes para se të angazhohesha në jetën politike aktive… Me qëllim që të mos jem i varur apo i shantazhueshëm në kuptimin e nevojave ekonomike para se të merrja përsipër përgjegjësi ndaj qytetarëve shqiptarë. Po të shikoni deklaratat e mia të pasurisë janë shumë herë më të mira para hyrjes sime në politikë sesa pas hyrjes sime në politikë”- ka thënë Basha.
Ai ka folur edhe për kunatin e tij si dhe familjarët që akuzohen për përfitime në tendera publikë.
“Akuzat për kunatin janë pjesë e një propagande… Unë kam përcaktuar diçka në familjen time që asnjë familjar nuk mund dhe nuk do të jetë në konflikt interesi.
Asnjë familjar i imi nuk ka përfituar asnjë tender publik, as ndihmë sociale madje edhe ata që kanë pasur nevojë sepse kanë qënë disa familjarë të ngushtë të mitë që kanë pasur nevojë për strehim të cilët jo se i ndalonte ligji, por për shkak të detyrës sime i kam detyruar që të mos jenë pjesë e skemës së përfitimit sepse në fund të fundit në ato 200 apartamente që do të shpërndaheshin nuk doja që të përflitej që duhet të ishte patjetër një familjar i imi. Ky është standard që unë kam vendosur…”, tha ai.
Basha foli dhe për marrëdhëniet me Ilir Metën dhe nëse ka një shans që në të ardhmen ta ketë bashkëpunëtor në qeverisje.
“Unë Metën e kam njohur përmes politikës. Nuk është se kam pasur njohje para…”PD-ja në drejtimin tim nuk kërkon dhe nuk pranon koalicion as me Edi Ramën dhe as me Ilir Metën. Ne kërkojmë t’i japim shqiptarëve një alternativë tek e cila të besojmë për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë, alternativë me elementë të fortë ekonomik dhe politike.- përfundoi Basha.