Lulzim Basha ka publikuar këtë mbrëmje një foto në krah të Drejtorit për Europën në Institutin Republikan Amerikan, (IRI), Paul McCarthy.
Basha dhe McCarthy kanë darkuar këtë mbrëmje në zonën e Dajtit, teksa kanë shkëmbyer mendime lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri.
Në një reagim në Facebook, Basha shprehet se në qendër të bisedës ishte bashkëpunimi i PD me IRI për forcimin e kapaciteteve të PD dhe kthimin e saj në alternativë qeverisëse, si dhe zhvillimet në Kosovë e rajon.
“Gjatë një darke në Dajt me mikun nga SHBA, Z. Paul McCarthy, Drejtori për Europën në Institutin Republikan Amerikan (IRI) pata kënaqësinë të shkëmbenim mendimet me këtë bashkëudhëtar të zhvillimeve politike në Shqipëri prej 3 dekadash dhe njohës të regjur të rajonit tonë.
Në qendër të bisedës ishte bashkëpunimi i PD me IRI për forcimin e kapaciteteve të PD dhe kthimin e saj në alternativë qeverisëse, zgjedhjet e lira, transparenca e llogaridhënia politike, lufta kundër korrupsionit, si dhe zhvillimet në Kosovë e rajon. Mirënjohës për ndihmën e pakursyer të Institutit Republikan dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës!”, shkruan Basha.
/f.stafa