“Në tre vite Edi Rama ia ka dalë të kriminalizojë shtetin të kanabizojë Shqipërinë, të rrisë papunësinë, dhe të përqendrojnë në duart e një grushti njerëzish të lidhur me tenderat dhe koncesionet, pasuritë publike të qytetarëve”. Kjo u theksua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin e zhvilluar me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Gramsh.
Basha tha se klima e biznesit në Shqipëri është përkeqësuar nga korrupsioni dhe arbitrariteti. “I vetmi biznes që lulëzon është ai i hashashit. Përmes krimit, korrupsionit dhe varfërimit të shqiptarëve, Edi Rama po përpiqet të asgjësoje zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, theksoi kreu i demokratëve, sepse, sipas tij, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë fundi i pushtetit të Edi Ramës.
“Në këtë realitet të keqqeverisjes së gjithanshme, të përkeqësimit që shënon çdo fushë të jetës, Edi Rama ka prezantuar edhe një gjëmë të madhe për shqiptarët, kriminalizimin e shtetit që i ka hapur rrugë drogës së mbjellë anembanë, drogimit të Shqipërisë. E ka bërë me ndërgjegje të plotë. Edi Rama e ka ditur. E ka bashkëplanifikuar me kriminelët që ka vënë në çdo strukturë shtetërore, se kriminalizimi i shtetit do të çonte në kanabizimin e Shqipërisë. E ka ditur dhe prandaj nuk e ka vënë ujin në zjarr sepse për të paratë dhe pushteti është gjithçka që ka rëndësi. Sepse për të, punë e madhe se ka papunësi, shkoni në emigracion ju tha kuksianëve para një viti, punë e madhe se ka varfëri. Po pate varfëri eja skllav në fermën e drogës së Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Përmes krimit, korrupsionit dhe varfërimit të shqiptarëve mendon se e ka ulur dhe më tej çmimin e votës dhe se me pare e korrupsionit dhe me kërcënimin e krimit do t’ia dalë të asgjësojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha raporton tch.
Ndërkohë që pas tre vitesh qeverisjeje Edi Rama nuk ka asnjë bilanc për të treguar, shfaqet me arrogancë para fermerëve që i varfëroi dhe shkatërroi me keqqeverisjen e tij dhe u thotë merrni kredi. Shëndetësia është në ditën e saj më të zezë. Nëpër spitale mungojnë medikamentet kryesore, nuk ka mjek për t’u ardhur në ndihmë pacientëve, ndërkohë që 1 milion euro në muaj i merr Vilma Nushi për “chek-up”-in. Kurrë më parë nuk kemi patur një qeveri të tillë plaçkitëse që i merr shumicës gjithçka për t’ia dhënë pakicës”, theksoi lideri i opozitës.
“Tre vite qeverisje fermerët kanë parë vetëm varfërim dhe shkatërrim. Tre vite qeverisje dhe nuk ka dhënë një kokërr leku subvencion dhe tani në fund fare iu thotë merrni kredi nëpër banka. Po tani që ka përmbytje çfarë do t’ju thotë, merrni kredi që të pastroni kanalet? Investimet për bujqësinë janë në nivelin më të ulët në 20 vite sepse investimet në tërësi nuk shkojnë aty ku ka nevojë qytetari po aty ku Edi Rama mund t’i grabisë më kollaj. Në qoftë se Edi Rama do të kishte prioritet investimet që ndihmojnë qytetarët, nuk do të kishte viktima në Kurbin”, shtoi Basha./a.m.