“Në vitin 2010, Edi Rama e ankimoi Ligjin Antimafia në Gjykatën Kushtetuese me shqetësimin se shkelte të drejtat e anëtarëve të krimit të organizuar”, u shpreh sot Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi paketën “Anti KÇK”.
Sipas tij, “Edi Rama lodhet kot, kur bën si kalorës i luftës kundër krimit të organizuar. Nuk e besojnë as vartësit e vet. Lufta kundër krimit nuk bëhet as me Twitter, as me Facebook, as me videomontazh. Që të luftojë Edi Rama krimin, do të thotë të shndërrohet në kamikaz, e të luftojë kundër vetes”.
“Karriera politike e Edi Ramës i ka themelet tek krimi. Si avokat i krimit, me Vasilika Hysin dhe Etilda Gjonajn në Komitetin Shqiptar të Helsinkit, në vitin 2010, Edi Rama e ankimoi Ligjin Antimafia në Gjykatën Kushtetuese me shqetësimin se shkelte të drejtat e anëtarëve të krimit të organizuar”, theksoi Bardhi.
“Sot në qeverisje, anëtarët e grupeve mafioze më të rrezikshme në vend, po fitojnë një e nga një lirinë, sepse drejtori i burgut të Edi Ramës dhe Kryetari i Bashkisë së Edi Ramës kanë dalë garantë për sjelljen e mirë të kriminelit të rrezikshëm, që ka blerë vota për Edi Ramën”, u shpreh Bardhi.
“Shqiptarët nuk kanë sot asnjë dyshim se Edi Rama është kreu i KÇK-së. Ai bashkëqeveris me krimin e organizuar, i jep krimit pushtet politik, tendera, koncesione dhe pasuri publike”, theksoi ai.
/a.r











