Laçi barazoi 0-0 me Bylisin në ndeshjen e zhvilluar në shtëpi. Ekipi i trajnerit Sulejman Starova e ka harruar shijen e fitores, pasi ka 3 ndeshje që nuk arrin të marrë 3 pikë të plota. Bylisi vazhdon të surprizojë dhe merr një pikë të merituar dhe shumë të luftuar në fushën e lojës.
Takimi ishte i një niveli mesatar me të dy ekipet që luftuan shumë në fushën e lojës. Pjesa e parë ishte e dobët me të dy skuadrat që nuk rrezikuan, ndërsa gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë.
Kurbinasit morën më shumë përsipër, por sulmuesit e tyre nuk u treguan të saktë para portës së Isli Hidit, duke humbur raste flagrante. Starova u mundua të ndryshonte diçka për mirë, por ekipi nuk reagoi as pas zëvendësimeve. Bicaj u largua me të kuq nga ballshiotët duke lënë ekipin për 10 minuta me një lojtar më pak, por vendiasit nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Përfundimisht, Laçi ndan pikën me Bylisin.
/a.r