Bizneset në fushën e shërbimeve ku përfshihen baret dhe restorantet, ato të tregtisë që përbëhen kryesisht nga dyqanet dhe supermarketet, bashkë me ndërtimin, paralajmërojnë se çmimet do të vijojnë të rriten.
“Për sa kohë ka kërkesë, tashmë me flukset e shtuara të të huajve, detyrimisht kjo do të çojë në një tendencë për rritje të çmimeve”, u shpreh kreu i Unionit Agroushqimor Shqiptar, Theodhor Kristuli.
Pritshmëritë e sipërmarrjeve për shtrenjtim të mëtejshëm të jetesës vijnë në një kohë që Banka e Shqipërisë deklaron se inflacioni do të rikthehet në objektivin 3 për qind brenda gjysmës së dytë të vitit. Cikli i ri i krizës së çmimeve sipas ekspertëve kësaj here po vjen nga rritja e pagave.
“Pronarët e bizneseve kanë në kurriz rritjen e pagave. Po u rrit 900 euro paga, rriten edhe sigurimet. Për të ruajtur marzhet e tyre të fitimit, ata do t’i transferojnë kostot shtesë te konsumatori”, theksoi Kristuli
Bizneset paralajmërojnë vijim të dhimbjes së kokës për konsumatorët, veçanërisht për produktet bazë ushqimore.
“Në mungesë të subvencioneve nga shteti, kostot e prodhimit janë të larta. Bujqësia është tani edhe e braktisur nga IPARD rrjedhimisht çmimet e produkteve bujqësore mund të rriten”, shtoi Kristuli.
Sinjale për gjallërim të krizës së çmimeve çoi edhe rritja e inflacionit në vendet e Bashkimit Europian. Treguesi u rrit në 2.9 për qind në dhjetor, nga 2.4 për qind që ishte në nëntor. Për shkak të varësisë së lartë nga importi, inflacioni i eurozonës mund të përcillet shpejt edhe në Shqipëri.
/f.s