Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore bëri të ditur se ka miratuar sot një hua prej 100 milionë USD për politikat e zhvillimit të sektorit financiar për Shqipërinë. Projekti i politikave mbështet reformat që synojnë fuqizimin e fleksibilitetit të sektorit bankar dhe të rregullave e të mbikqyrjes së institucioneve financiare jobankare në Shqipëri.
Në vijim të krizës financiare globale të vitit 2008, rritja ekonomike e Shqipërisë u ngadalësua në mënyrë të konsiderueshme duke nxjerrë në pah mungesë të theksuar të ekuilibreve makroekonomike dhe cënueshmëri më të mëdha të sistemit të shoqëruara me përshkallëzim të shpejtë të borxhit publik dhe detyrimeve të pashlyera, deficite të papërballueshme në sektorin energjetik dhe një rritje të madhe të kredive të këqija në sektorin bankar. Një sektor financiar që nuk funksionon siç duhet është një kërcënim për rritjen ekonomike dhe minon arritjet në kuadrin e reduktimit të varfërisë dhe të mirëqenies së përbashkët. Për t’iu përgjigjur kësaj situate, qeveria, në mbështetje të platformës së saj për të përshpejtuar rritjen dhe krijuar vende të reja pune, ndërmori reforma të rëndësishme ligjore, rregullatore e mbikqyrëse për të zbutur rreziqet në sektorin financiar.
Banka Botërore ka kontribuar për fuqizimin e sektorit financiar në Shqipëri përmes disa projekteve duke përfshirë kredinë e vitit 2014 për politikat e zhvillimit për modernizimin e sektorit financiar. Ky projekt i ri çon më tej punën dhe rezultatet e projekteve të mëparshme të Bankës Botërore të kreditimit të bazuar tek politikat zhvillimore, të cilat kanë mbështetur një gamë të gjerë reformash për të rikthyer stabilitetin makro-financiar të vendit, rinisjen e rritjes ekonomike, përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe reformimin e sistemit të pensioneve dhe sektorit të energjisë.
“Reformat e mbështetura nga ky projekt synojnë të trajtojnë cënueshmëritë aktuale të sektorit financiar duke rritur fleksibilitetin e tij, tha Ellen Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Këto reforma do të krijojnë mjedisin e duhur që institucionet financiare bankare dhe jobankare të zgjerojnë kreditimin ndaj sektorit privat, e kjo si rrjedhojë do të jetë një shtysë për rritjen ekonomike.”
Projekti strukturohet rreth tre shtyllave: miratimi i masave për të reduktuar kreditë e këqija dhe për të forcuar rrjetin e sigurisë financiare; fuqizimi i rregullave, mbikëqyrjes dhe regjimeve të zgjidhjes së problemeve të bankave dhe të shoqatave të kursim – kreditit (SHKK); dhe fuqizimi i rregullave dhe mbikëqyrjes së fondeve të investimit.
Masat e ndërmarra nga qeveria dhe autoritetet e sektorit financiar, të mbështetura nga projekti i ri përfshijnë përmirësime domethënëse në kuadrin ligjor, si p.sh. një ligj i ri për falimentin, ligj për rimëkembjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, një ligj i ri për shoqatat e kursim-kreditit, amendamente të ligjit për auditimin, ligjit për sigurimin e depozitave, ligjit për ndërmarrjen e investimeve kolektive, kodit të procedurës civile dhe ligjit për përmbaruesit privatë. Disa prej këtyre reformave kyçe ishin pjesë e Planit kombëtar të veprimit për uljen e kredive të këqija, të mbështetur nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë.
Autoritetet dhe Banka Botërore janë konsultuar me një sërë grupesh interesi për masat specifike të mbështetura nga kjo Kredi për Politika Zhvillimi, duke përfshirë industrinë bankare, SHKK-të, fermerët, bizneset e vogla dhe OJQ-të. U realizuan gjithashtu disa seminare me pjesëmarrjen e profesionistëve të fushës ligjore, gjykatës, përfaqëues të shoqatave të biznesit, konsulentë e këshilltarë, ente të sektorit financiar dhe OJQ-të e advokimit.
“Këto reforma jo vetëm që zbusin rreziqet me të cilat ballafaqohet aktualisht sektori bankar, por ato sjellin ndryshime të rëndësishme që do të sjellin përfitime afatgjata për bizneset dhe veprimtaritë e kreditimit në vend”, tha Michael Edwards, Drejtuesi i Lartë Projektit në Bankën Botërore. “Ligji i ri për falimentin, p.sh. pritet që të përmirësojë shumë efektivitetin dhe shpejtësinë me të cilat trajtohen rastet e paaftësisë paguese si dhe në përcaktimin e kufizimeve të besueshme për huamarrësit problematikë”.
Kredia për Zhvillimin e Politikave të Sektorit Financiar është një kredi me interes fiks e IBRD-së me një periudhë faljeje 8 vjeçare, dhe afat shlyerjeje prej 31 vjetësh. Që prej vitit 1991 kur Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore vendi ka përfituar një total prej 90 projektesh me vlerë rreth 2.56 miliardë dollarësh amerikanë në hua të IDA-s dhe IBRD-së. Portofoli aktiv i Bankës Botërore ka dhjetë projekte me hua investimesh në zbatim e sipër, të cilat përbëjnë një angazhim me vlerë totale prej 615 milionë dollarësh amerikanë.
havanews.al /Me.Ar