Pas finalizimit të megaoperacionit, janë zbardhur detaje të reja në lidhje me trafikun e emigrantëve shqiptarë. Mësohet se personat e arrestuar bënin falsifikimin e dokumenteve për emigrantët e paligjshëm që kanë dërguar në Britani, SHBA, Kanada dhe Irlandë, sikur këta të fundit ishin shtetas europianë, bullgarë apo të tjerë. Mësohet se për trafikimin drejt Britanisë së Madhe, grupet kriminale merrnin nga 7 mijë paund për person.
Ndërsa, për në SHBA dhe Kanada, personat e arrestuar merrnin nga 25 mijë deri në 30 mijë dollarë. Gjithashtu, bëhet me dije se 7 grupet kriminale kanë përfituar rreth 25 milionë dollarë nga trafikimi i emigrantëve. Kjo për faktin se rreth 200 shqiptare janë dërguar në Britani, ndërsa 800 të tjerë në SHBA dhe Kanada.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë zbardhur dhe itineraret që përdornin personat e arrestuar për të trafikuar shqiptarët. Po ashtu pohohet se ky rrjet i stërmadh kriminal kishte shtrirje në disa rrethe të Shqipërisë, por me bazë në Lezhë dhe u ofronte personave të interesuar pasaporta të BE-së të falsifikuara.
SKEMA E TRAFIKUT
Sipas burimeve nga policia, personat e përfshirë në trafikun klandestin pasi dublikonin pasaportat, vidhnin identitetet dhe më pas vendosnin fotot e personave që interesoheshin për të ikur në SHBA apo në Kanada. Burime për “GSH” bënë me dije se operacioni ka nisur prej më shumë se një viti më parë, ndërsa përveç policisë shqiptare, ky operacion u asistua edhe nga oficerë të SHBA-së. Të gjitha strukturat e Policisë se Shtetit, po vijojnë aksionin paralelisht në Tiranë, Lezhë, Kukës, Dibër, Shkodër dhe Korçë, ku janë shoqëruar dhe arrestuar dhjetëra persona. Gjithashtu, burimet e mësipërme sqaruan se operacioni vijon dhe po bëhet i koordinuar për kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa mendohet se pjesë e kësaj skeme janë më shumë se 60 persona. Ndërkaq, nga kontrollet, personave që u arrestuan u janë sekuestruar shumë dokumente, pajisje që shërbenin për falsifikimet, por edhe shuma të ndryshme monetare. Për operacionin punuan edhe 2 agjentë speciale të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit Amerikan të Shtetit, të atashuar pranë ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
ITINERARET E TRAFIKUT KLANDESTIN
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, itineraret që përdornin pjesëtarët e 7 grupeve të strukturuara kriminale janë: Shqipëri-Itali- Mbretëri e Bashkuar; Shqipëri-Francë-Mbretëri e Bashkuar; Shqipëri- Bullgari-Belgjikë-Republika Domenikane-SHBA/Kanada dhe Shqipëri- Spanjë-Amerika Latine-SHBA/Kanada.
a.ç