Krahas përpjekjeve për të ndikuar tek drejtësia nëpërmjet Presidentit Bamir Topi, për tërheqjen e urdhër-arresteve të prokurorisë për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, është investuar në manipulimin dhe prishjen e provave të krimit në 21 Janar 2011, ku u ekzekutuan 4 protestues të pafajshëm dhe u plagosën gjashtë të tjerë. Bamir Topi, në atë kohë President i Republikës, rrëfen në librin e tij autobiografik “Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti), lëvizjet e Sali Berishës për prishjen e provave të krimit dhe zhdukjen e pamjeve filmike në serverin e Kryeministrisë, me qëllim pengimin e prokurorisë për zbardhjen e orkestruesve të masakrës në bulevard.
Zhdukja e provave synonte fshehjen e të vërtetave të organizimit brenda territorit të Kryeministrisë, nga komunikimet verbale deri tek urdhrat për të hapur zjarr. Sipas rrëfimit të presidentit, i cili në atë kohë informohej nga kryeprokurorja, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe burime të tjera, Sali Berisha fillimisht diktoi mjekët e Spitalit Ushtarak, që të pohonin versionin e tij se protestuesit ishin vrarë nga afër. “Precipitimi moral arriti kulmin kur Sali Berisha kishte diktuar mjekët anatomo-patologë të Spitalit Ushtarak, që në krah të Kryetares së Kuvendit shpreheshin se plagët e zjarrit tregonin që protestuesit ishin goditur nga afër, sikurse kishte thënë kryeministri, që ishin vrarë nga brenda turmës. Ishte thyer rëndë urdhri i Hipokratit dhe roli i të parit qeverisë, i cili ishte fajtor me të dyja këmbët brenda, pasi ishte edhe mjek edhe kryeministër. Më pas titulli i Urdhrit të Mjekut i dënoi ligjërisht e moralisht mjekët në fjalë, pasi e vërteta ishte ndryshe”, shkruan Topi.
Lëvizja e dytë e Berishës
Më pas, kur gazetari Artan Hoxha, publikoi pamjet ku efektivi i Gardës Agim Llupo qëllonte mbi protestuesit, Sali Berisha dha orientimin që të prisheshin provat e krimit dhe të zhdukej çdo pamje filmike. Me këtë operacion kriminal, sipas Topit, Berisha po pranonte autorësinë e masakrës në bulevard. “Afër mesnatës, në një studio televizive, gazetari investigativ Artan Hoxha ‘plasi bombën’, duke sjellë pamje filmike të zjarrit automatik që vinte nga një efektiv i Gardës së Republikës drejt njerëzve në bulevard. Më vonë do të merrej vesh që quhej Agim Llupo dhe sot është në liri, ndërkohë që komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, shfaqej me sy të nxirë. Pamjet filmike të Artanin do të sillnin një pështjellim të madh te Sali Berisha, i cili nëpërmjet njerëzve të tij në Kryeministri, Policinë e Shtetit e në Gardë, po krijonin pengesa të mëdha për punën e prokurorëve lidhur me grumbullimin e provave në vendngjarje. Orientimi ishte i qartë: Të prisheshin provat e krimit dhe të zhdukej çdo pamje filmike. Kjo u vërtetua me zhdukjen e regjistrimeve të kamerave të sigurisë në Kryeministri dhe prishjen e serverit, shenjë e qartë se de facto po pranohej autorësia e masakrës. Hetimet provuan se sapo dolën pamjet filmike të Artan Hoxhës, në këtë kohë janë zhdukur pamjet filmike të kamerave të Kryeministrisë (midis orës 01:30-02:30 të datës 22 janar). Data 22 janar nxori në shesh pikërisht përplasjen e fortë qeveri-prokurori. Informacionet konfirmonin faktin se Sali Berisha me strukturat e veta po fshinin të vërtetat e organizimit brenda territorit të Kryeministrisë, komunikimet verbale, urdhrat, deri tek akuzat e ndërsjella të prokurorëve me njerëzit në drejtim të Gardës. Ndonëse nuk ishte prononcuar për këtë situatë kryeministri dirigjonte që gjithçka t’u faturohej njerëzve jashtë gardhit të Kryeministrisë”.
Takimi me kryeprokuroren Ina Rama
Ish-presidenti rrëfen detaje nga takimi në zyrën e tij në Presidencë me Ina Ramën, në atë kohë kryeprokurore, pasi Sali Berisha, përmes Hysni Burgajt, refuzonte që të zbatonte urdhrat e prokurorisë për ndalimin e zinxhirit komandues të Gardës, për implikimin në vrasjet e 21 Janarit. “Në vijim të indicieve, Prokuroria e Tiranës (grupi i hetimit), mbi bazën e fakteve dhe të provave paraprake, nxori një urdhër ndalimi për disa drejtues të Gardës së Republikës, të përfshirë drejtpërdrejtë në ngjarje. Përveç të tjerave, tashmë kishte pamje filmike që rëndonin pozitat e tyre. Pas daljes së urdhrit filloi një përplasje e hapur mes tyre, ku Berisha kundërshtoi ashpër prokurorinë me shprehjen se ata duan të lënë Gardën e Republikës pa zinxhirin komandues, duke folur publikisht se ata njerëz nuk do të dorëzoheshin në prokurori. Në këto kushte kërkova që Ina Rama të vinte dhe të më informonte për situatën, e cila po shkonte në një drejtim tjetër, atë të përplasjes së hapur të institucioneve, ku politika po pengonte dhe po sabotonte një hetim objektiv të ngjarjes së rëndë. Ina Rama erdhi me një frymë në zyrën time në Presidencës, me një pamje të qetë, gjë që i jepte epërsi në gjykimin e situatës. –Çfarë po ndodh konkretisht? – e pyeta. –‘Kemi kërkuar t’i marrim në pyetje. Shkresën ia kemi dërguar drejtorit të Policisë, Hysni Burgaj, por ende nuk ka përgjigje. Qëllimi është t’i marrim në pyetje’”.
Porosia e Topit për Ina Ramën
Bamir Topi shkruan se i ka ofruar mbështetje Ina Ramës për vazhduar për të zbatuar ligjin dhe procedurat, për hetimin e vrasjeve të 21 Janarit. Ndërkaq, sipas tij, Hysni Burgaj, në atë kohë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, po sabotonte hetimet për 21 Janarin me urdhër të Berishës. “Hysniu, pasi kishte marrë urdhrin nga kryeministri, po bëhej njësh me të në sabotimin e hetimeve. Ai kishte që një njeri i panjohur, me një karrierë tepër modeste kur u emërua drejtor. Në përshtypjen time, Hysniu ishte një figurë militante dhe besnik i njeriut që e emëroi, kështu që kurrë nuk demonstroi tiparet e një figura që drejton Policinë e Shtetit, por atë të pushtetit. ‘Vazhdo me kurajo dhe pa ju ndarë ligjit dhe procedurave. Do kesh mbështetjen time për zbardhjen e kësaj çështjeje. Beteja do të jetë e fortë, por ne do të shkojmë tek e vërteta, cilado të jetë kostoja e saj’, – thashë Inës, duke kërkuar të më informojë hap pas hapi. Për herë të parë në historinë e shtetit ligjor, një kryeministër mori përsipër moszbatimin e urdhrave të kryeprokurores, duke u vetëshpallur vetë agresor, vetë prokuror, vetë mjek anatomo-patolog dhe vetë garant i Kushtetutës dhe gjyqtar i çështjes”.
Loja e Berishës dhe Gjergj Lezhja
Topi shkruan se pas operacionit të zhdukjes së pamjeve filmike, Berisha foli gjatë një mbledhje qeverie të paprishur të Kryeministrisë, që ta kishte si alibi se nuk kishte dijeni për këtë gjë, duke ia hedhur fajin Gjergj Lezhjes, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë. “Në mbledhjen e qeverisë, djallëzia e Berishës kishte arritur kulmin. Ai foli këtu për server të paprishur të Kryeministrisë, që ta ketë si alibi se nuk kishte dijeni për këtë gjë, duke ia hedhur fajin Gjergj Lezhjes, sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Në fakt serveri ishte fshirë natën e 21 janarit, ku Berisha ishte fshehësi i së vërtetës së hidhur që do të tregonte se çfarë ndodhi brenda zyrave të tij, çfarë urdhrash u dhanë dhe kush ishte atë ditë atje. Në një takim me pjesëtarë të Gardës dhe familjeve të tyre u improvizua një nga aktet më të shëmtuara të një njeriu me karakter të keq e moral të deformuar, një arkitekt i së keqes dhe një gënjeshtar profesionist, i cili në arsyetimin e tij kriminal ndryshon versionin e ngjarjeve duke shpikur teorinë e grushtit të shtetit. Edhe në mbledhjen e qeverisë kishte thënë të njëjtat gjëra. Pas disa fjalive përshëndetëse me të pranishmit filloi të fjalë për ngjarjet e 21 Janarit duke ngushëlluar me hipokrizi familjet e të vrarëve nga urdhrat e tij dhe më tej nxori xhevahiret që janë fiksuar në histori si shprehje të padenja për një kryeministër: ‘Ata që flasin për ngjarje në bulevard, nuk ja gjë tjetër veçse horra dhe lavire bulevardi’, duke nënkuptuar presidentin dhe kryeprokuroren. Ndërsa shprehje kështu, në buzën e poshtme i dallohej qartë një plagë ‘herpes labialis’, që për mjekët është shenjë e qartë e një stresi që ai kishte kaluar gjatë natë, stresi që shoqëron përgjithësisht ngjarjet që kanë mbi shpinë ndjenjën e një mëkati të madh. Madje kishte thënë se në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300”.
Bamir Topi
“Orientimi ishte i qartë: Të prisheshin provat e krimit dhe të zhdukej çdo pamje filmike. Kjo u vërtetua me zhdukjen e regjistrimeve të kamerave te sigurisë në Kryeministri dhe prishjen e serverit, shenjë e qartë se de facto po pranohej autorësia e masakrës”.
Ina Rama-Topit
“Kemi kërkuar t’i marrim në pyetje. Shkresën ia kemi dërguar drejtorit të Policisë, Hysni Burgaj, por ende nuk ka përgjigje. Qëllimi është t’i marrim në pyetje”.
Libri autobiografik
Topi: Si zbulova njësinë e Berishës për survejimin e ‘armiqve’
“Çfarë më tha kreu i SHISH për krijimin e njësisë operative të fshehtë që survejonte dhe përgjonte kundërshtarët politikë të Berishës, struktura drejtohej nga Dritan Osmani, si përndiqte SHIU Presidentin pas 21 Janarit’
Pas vrasjeve të 21 Janarit 2011, Sali Berisha (në atë kohë kryeministër) ngriti një njësi operative të fshehtë, pjesë e Gardës së Republikës, e cila në bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Ushtrisë, përndiqte, survejonte dhe përgjonte kundërshtarët e tij politikë. Detaje rreth kësaj strukture rrëfen ish-presidenti Bamir Topi në librin e tij autobiografik. Kjo strukturë e paligjshme është ngritur në kushtet e pamundësisë së Berishës për të kontrolluar dhe përdorur Shërbimin Informativ Shtetëror, i cili në atë kohë drejtohej nga Bahri Shaqiri. Berisha pati bërë disa tentativa për të shkarkuar Shaqirin dhe për të emëruar në vend të tij një person të besuar, por u zmbraps nga presioni ndërkombëtar. Në pamundësi për të përdorur SHISH siç bëri me SHIK-un kur drejtohej nga Bashkim Gazidede, Berisha krijoi një njësi të veçantë në Gardë si dhe ka përdorur Shërbimin Informativ të Ushtrisë për survejimin dhe përgjimin e kundërshtarëve. Njësia operative është zbuluar fillimisht nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Më pas kreu i SHISH në atë kohë Bahri Shaqiri i ka raportuar Bamir Topit, në atë kohë president. Përpos të tjerëve, njësia ishte ngarkuar me detyrën për të survejuar Bamir Topin dhe banesën e tij. “Në mbrëmje erdhi me porosinë time Bahri Shaqiri (në atë kohë kreu i SHISH) për të më informuar për situatën e sigurisë dhe ngjarjet që po zhvilloheshin me shpejtësi. Pasi më informoi në lidhje me pyetjet që i bëra, më thotë: ‘President, njerëzit e mi sapo më kanë raportuar që është ngritur një njësi operative e fshehtë si pjesë e Gardës, që do të merret me survejimin tuaj, të banesës dhe lëvizjeve’. Kjo strukturë konspirative që do të bashkëpunonte ngushtë me SHIU-n, drejtohej nga Dritan Osmani, oficer i cili sipas informacioneve që merrja nga SHISH do të organizonte survejimin nga të paktën tri pozicione të banesës sime.
Një pozicion ishte në katin e fundit të një pallati mbi restorant ‘Fresku’, nga dukej gjithë oborri i shtëpisë. Një miku im do të vërtetonte ato që thoshte Bahri Shaqiri. Miku im e njihte ndërtesën dhe pronarin e dy apartamenteve në katin e fundit të pallatit, i cili kishte bashkëpunuar për të liruar pikërisht apartamentin që dilte në tarracë, nga ku dukej oborri i shtëpisë sime, pozicioni verior i saj. Një tjetër, 50-60 m në lindje të pronës sime ku është kapur dhe personi duke filmuar me kamera dhe e treta, një bazë tjetër 50-60 m në lindje të pronës sime, ku në një shtëpi të marrë me qira ndërroheshin targa makinash, që shpesh janë identifikuar pas makinës sime. Pra kishte filluar vërtetë një proces që mund të quhet një grusht shteti brenda shtetit nga njerëzit e kryeministrit dhe pjese e strukturës së SHIU-t të Ministrisë së Mbrojtjes, kundër kryetarit të shtetit”, shkruan Topi.
SHIU përndjek Presidentin
Nis një betejë e heshtur me SHISH dhe një strukture të paligjshme që i shërbente Berishës, ndërkohë që SHIU survejonte Presidentin e Republikës pas 21 Janarit. “Në këto kushte, ndonëse ishin njoftuar për këtë veprime, filloi një ‘betejë’ midis një strukture ligjore, sikurse ishte SHISH dhe njerëzve të një strukture konspirative që ndiqnin kryetarin e shtetit në çdo lëvizje të tij. Disa ditë pas 21 Janarit, ditë e diel, vura në dijeni Bahriun që do të lëviz vetë me makinë private për të parë ato lëvizje që përshkova me sipër. SHISH ishte në dijeni të makinës së SHIU-t që priste daljen e makinës sime dhe po shikonim lëvizjen e tyre. Ishte vetë Dritani, pa ditur që po vëzhgohej. Sapo dola nga banesa me makinë, u informova që këta ishin vënë në lëvizje. Nuk dhashë të kuptohesha. Isha vetëm në timon i shoqëruar nga dy njerëz të mi me makinë. Pasi dola në rrugën e Kinostudios, makina e tyre u vendos pas meje dhe pas tyre makina e SHISH. Jam rrotulluar nëpër Tiranë dhe në çdo metër i kish pas. Në informacionin që mora më vonë, u konfirmua ajo që po ndodhte”, shkruan Topi.
SHIU përgjonte kundërshtarët e Berishës
Ish-kreu i shtetit shkruan në librin e tij autobiografik se pas ndjekjes nga Shërimi Informativ i Ushtrisë, është informuar për mbërritjen në Tiranë të një aparature përgjigjemi për SHIU-n, për të përgjuar opozitën e atëhershme, presidentin dhe krerët e institucioneve të pavarura. “Rreth një muaj më vonë u informova konfidencialisht për mbërritjen e një aparature përgjimi që ishte blerë me para cash për SHIU-n, që në fakt është përdorur për përgjimin e presidentit, opozitës dhe krerëve të institucioneve të pavarura, një aparaturë që sot, sipas informacioneve, gjendjet e prishur, pasi është marrë serveri pas dorëzimit të pushtetit në vitin 2013. Pikërisht për këtë aparaturë u ngrit një komision hetimor parlamentar, që kaloi si pa u vënë re dhe zbulimi i më i madh ishte fakti që aparature ekzistonte, por ishte prishur. Pyetjeve pse erdhi kjo aparaturë, kur e përdori dhe në ç’mënyrë u përdor, nuk i erdhi asnjë përgjigje. Amatorizëm apo e qëllimshme? Mister! Gjatë fushatës së zgjedhjeve në maj të 2013 ishin këta njerëz të SHIU-t që me porosi mbyllën ciklin, duke u ulur helikopterin e ushtrisë në oborrin e shtëpisë sime dhe duke terrorizuar fëmijët e mi. Komandanti i Forcave Ajrore denoncoi fluturimin pa leje dhe vetëm disa ditë më pas u shkarkua nga detyra. Në seancën plenare të radhës mbajtur na Parlament të dielën pasdite, datë 23 janar, filli të instalohet një grusht i vërtetë shteti me atë fjalim patologjik e skizofrenik të Sali Berishës, i cili filloi të fabrikojë skenarin B të puçit të organizuar sipas tij nga kryetari i shtetit, SHISH, prokurorja e përgjithshme dhe në fund opozita. Sikurse e thash më parë, problemi nuk ishte politik, duke lënë mënjanë opozitën, por kushtetues dhe ligjor, pasi Berisha i frikësohej hetimit që po zhvillohej për vrasjet në bulevard”.
Komisioni hetimor
Bamir Topi ndalet edhe tek ngritja e komisionit hetimor parlamentar për hetimin grushtit të pretenduar të shtetit në 21 Janar 2011. “Në fund të seancës, me votat qeveritare u ngrit komisioni famëkeq që dot hetonte “grushtin e shtetit’, duke futur në hetim presidentin e të gjitha institucionet e cituara më sipër, Ky komision do të drejtohej nga Eduard Halimi, një njeri militant me tipare naziskine, provincial dhe i pakallur si profesionist, që të bardhën e bënte të zezë dhe anasjelltas, karrierist dhe pa asnjë formim etik, që para se të futej në Parlament kishte një studio legale në kullat luksoze përballë Kryeministrisë. Ky njeri do të udhëhiqte komisionin në shtigje të turpshme duke intimiduar krerët e institucioneve ligjzbatuese, të cilët dolën në raport duke dëshmuar ligjshmërinë e veprimeve të tyre dhe thyerjen e procedurave nga policia dhe garda. Pafytyrësia e kreut të komisionit arriti kulmin kur u kërkuar që presidenti të dilte para komisionit në mjediset e Kuvendit. Në këto kushte thirre Spiro Peçin, këshilltar ligjor, njeri me reputacion të lartë dhe profesionit elitar. –Spiro, e shikon ku po arrin marrëzia e tyre? Dhe më tej vazhdova: Përgatit informacionin që kërkojnë dhe dërgoja me shkresë. Po të duan le të vijnë në Presidencës. Nuk shkon kryetari i shtetit tek ata”.
Mesazhi për socialistët
Ish-kreu i shtetit shkruan se socialistët, ndryshe nga sa kishin premtuar, kur erdhën në pushtet nuk bënë atë që duhej, të bënin gjyqin politik në Parlament për të vrarët në protestën e tyre. “Ndërsa Sali Berisha ishte shfaqur i qartë dhe ashpër, ku në fokus ishte lufta me Presidentin e Republikës dhe Prokuroren e Përgjithshme, Edi Rama jo vetëm ishte larguar nga drejtimi i protestës, por po luante shumë keq politikisht, Në qoftë se do të pranojmë se nuk e njihte komisionin hetimor, ai ia kishte kenë të gjithë fushën e betejës së shpifjeve në Parlament qeverisë, të cilët shanin e akuzonin institucionet e pavarura, ndërkohë që opozita e Edi Ramës bënte sehir, sikur donte të shfrytëzonte këtë përplasje të madhe që nuk ishte më me të, por më presidentin, që kishte qenë pjesë e së djathtës. Ky dyshim i madh u vërtetua kur socialistët erdhën në pushtet dhe ndryshe nga çfarë kishin premtuar solemnisht, nuk bënë atë që duhej, të bënin gjyqin politik në Parlament për të vrarët në protestën e tyre dhe për t’u kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur institucioneve të shtetit”.
Njësia e fshehtë
Pas vrasjeve të 21 Janarit 2011, Sali Berisha (në atë kohë kryeministër) ngriti një njësi operative të fshehtë, pjesë e Gardës së Republikës, e cila në bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Ushtrisë, përndiqte, survejonte dhe përgjonte kundërshtarët e tij politikë.
Bahri Shaqiri
“President, njerëzit e mi sapo më kanë raportuar që është ngritur një njësi operative e fshehtë si pjesë e Gardës, që do të merret me survejimin tuaj, të banesës dhe lëvizjeve”.
g.kosovari