Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e 6-të të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC), që u zhvillua sot në Athinë, nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë, qeverisë greke dhe Qendrës Globale të Energjisë pranë Këshillit Atlantik.
Në këtë aktivitet morën pjesë Sekretari Amerikan i Energjisë, Chris Wright, si dhe ministra të energjisë nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, mes tyre edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
“Takimi i gjashtë i Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji shënon fillimin e një bashkëpunimi më të ngushtë mes Departamentit të Energjisë së SHBA-ve, Bashkimit Europian dhe vendeve të Europës Qendrore e Jugore”, deklaroi Balluku. Sipas saj, në këtë takim u theksua rëndësia e koordinimit për të minimizuar ndikimin e gazit rus në tregun europian dhe për të forcuar sigurinë energjetike në rajon.
Balluku vlerësoi rolin që po merr Greqia si një qendër e rëndësishme gjeo-energjetike, falë marrëveshjeve për hapjen ndaj gazit të lëngshëm amerikan (LNG). “Athina ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme për hapjen e dyerve ndaj gazit të lëngshëm amerikan, duke e kthyer rajonin në një pikë kyçe për gjeopolitikën energjetike”, tha ajo.
Në fjalën e saj, ministrja shqiptare theksoi gjithashtu objektivin strategjik të vendit tonë.
“Informova aleatët tanë strategjikë se Shqipëria synon që brenda vitit 2030 të kthehet nga një vend importues në një vend eksportues neto energjie”.
Ajo shtoi se këto plane janë të lidhura ngushtë me ndërtimin e interkonjeksioneve të reja, përfshirë Korridorin VIII Energjetik dhe linjën nënujorë të interkonjeksionit Shqipëri-Itali, një projekt që, sipas Ballukut, është konsideruar nga të pranishmit si “një investim i domosdoshëm për sigurinë energjetike të Europës Juglindore.”
Në vijim të takimit, Balluku vuri në dukje se teknologjitë e reja, veçanërisht inteligjenca artificiale (AI) e aplikuar në sektorin energjetik, do të kenë një rol thelbësor në modernizimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit.
“Sekretari amerikan nënvizoi faktin se teknologjitë e reja, sidomos AI, do të sjellin shumë shpejt rezultate të jashtëzakonshme dhe zgjidhje të qëndrueshme për sektorin e energjisë në Europë”, theksoi ministrja shqiptare.
Në fund, Balluku e përshkroi takimin si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të partneritetit energjetik mes SHBA-ve, BE-së dhe vendeve të rajonit.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar të kontribuojë në këto përpjekje për një të ardhme energjetike më të sigurt dhe të qëndrueshme”, u shpreh ajo, ku ndau edhe pamje nga takimi në Athinë.
Takimi ishte i fokusuar te situata energjetike e rajoneve përkatëse, përgatitjet për dimrin, me një vëmendje të shtuar ndaj sigurisë energjetike si pasojë e kërcënimit që vjen nga përdorimi i gazit rus.











