Taulant Balla tha mbrëmjen e së hënës se Partia Socialiste nuk e mirëpret një ftesë të mundshme të Presidentit për t’u konsultuar mbi një datë të re zgjedhjesh.
Deklaratat e numrit dy të PS erdhën në emisionin ‘Real Story’, ndërsa Balla shtoi se kjo konsultë është konsumuar që në nëntor të vitit të kaluar kur edhe është vendosur 30 Qershori, shkruan JavaNews.al
Duke komentuar kërkesën e Ilir Metës për KQZ dhe kthim-përgjigjen e kësaj të fundit mbi numrin e deputetëve, Balla tha se Kuvendi është tërësisht funksional.
“Funksionaliteti i Kuvendit varet nëse e ka shumicën e cilësuar për të marrë çdo vendim që i takon dhe konkretisht 122 e përbëjnë këtë shumicë. Pra Kuvendi i ka 2/3 e 140 deputetëve” – tha Taulant Balla.
I pyetur nga analistët në paneline ‘Real Story’ nëse Ilir Meta dekreton shpërndarjen e Kuvendit, Balla tha se ky vendim i mundshëm është i papranueshëm, raporton JavaNews.al
“Presidenti mund të marri dekrete nga më të ndryshmet, edhe nga ato që nuk na e merr mendja, por ka Kushtetutë që përcakton kompetencat e tij” – tha Taulant Balla mbrëmjen e së hënës.
/a.rada/javanews.al