Taulant Balla ka qenë i ftuar në panelin e emisionit ‘Java në RTSH’ nga ku ka zbuluar detaje të reja të debatit politik. Përballë analistëve Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, numri dy i PS tha se në lidhje me akuzat për ‘Toyta Yaris’, ka pasur konfirmimin nga tre deputetë të Bashës se bëhet fjalë për një stisje. Sipas Ballës, akuza e Lulzim Bashës ishte një sajesë momentale për shkak të një episodi që ndodhi në Kuvend.
Balla mbrohet duke sulmuar. Ai thotë se nga 18 padi që i janë bërë kur ishte në opozitë, ka fituar 18 prej tyre dhë njëra është në Gjykatën e Lartë. Ai akuzon Bashën, qofte për shpifje në çështjen e “Toyota Yaris” dhe çfarë është më e rëndë: Ai është blerë për të heshtur në lidhje me një oligark, siç e quante dikur.
“Ndaj meje janë bërë 19 padi për shpifje. Kam fitur 18 gjyqe prej tyre ndërsa tjetra është në Gjykatën e Lartë me zotin Shkëlzen Berisha. Dallimi është që unë kam nisur një padi penale. Të marrim rastin e Toyota Yaris. Po e them këtu për herë të parë. Lulzim Basha flet në Kuvend dhe po përpiqej të thoshtë sesa ishte lodhur duke lobuar për hapjen e negociatave. Ne po qeshnim me këtë episod dhe teksa qeshnim Lulzimi tha qesh ti qesh… Meqënëse unë po qeshja me shumë, mu faturua mua. Po ju them se tre deputetë të Partisë Demokratike më konfirmuan se kjo akuzë nuk ka lidhje me mua. Dhe sot jemi në gjykatë. E dini çfarë thotë avokati i Bashës në gjykatë? Ku e di zoti Basha që ai që qeshte më shumë është zoti Balla…” – tha kreu i grupit parlamentar të PS në studion e emisionit ‘Java’.
Balla tregoi në panel me Zogajn dhe Vangjelin edhe një pretendim të ri dhe serioz. Sipas tij, Lulzim Basha po hesht për koncesionin e Rrugës së Kombit pasi e ka shitur heshtjen e tij.
“Keni dëgjuar më të flasi Lulzim Basha për rrugën e Kukësit? E dini pse nuk flet? Sepse jo më larg se këtu, Lulzim Basha ka marrë 1100 metra katrorë me qera për kompaninë afër tij. A akuzoi oligarkun që kishte marrë koncesionin e rrugës? Plot 11 milionë dollarë kushton heshtja e Bashës” – tha Taulant Balla.
Pyetjes së drejtpërdrejtë të Lorenc Vangjelit, nëse mazhoranca e akuzon Bashën se është blerë, Balla iu përgjigj:
“Kryetari i opozitës bën sulme në shkëmbim të shpërblimeve. Pyeteni Lulzim Bashën përse u zotua që nuk do të kishte pagesë në rrugën e Kombit dhe sot hesht” – tha Balla.
Ndërkohë, analisti Lorenc Vangjeli bëri një përkufizim të përballjes me drejtësinë. Sipas tij ka një diferencë në raport me ligjin ndërmjet një politikani dhe një qytetari të thjeshtë. “Një qytetar vazhdon të jetë i pafajshëm deri në momentin që dënohet nga gjykata. Ndërsa një politikan është fajtor edhe pa kaluar në gjykatë për shkak të imazhit apo për fajet që mendohet se mund t’i bëjë. Zotit Tahiri i është bërë një proces moral, një proces nga partia juaj. Pritet tashmë edhe verdikti final. Nëse bie edhe ky i fundit, a do ta rikthenit zotin Tahiri?” – pyeti Vangjeli.
Për herë të parë, numri dy i PS tregoi se rikthimi i Saimir Tahirit në PS është në vullnetin e këtij të fundit.
“Unë e thashë dhe në fillim dhe sot kanë kaluar më shumë se 13 muaj kur prokuroria ngriti akuzat ndaj Tahirit. Të gjithë e dimë që akuzat për të u ngritën në bazë të përgjimeve në Itali dhe këto prova kanë rënë ndërsa Prokuroria jonë vazhdon. Në një vend normal, opozita duhet t’i kërkonte ndjesë pas rënies së këtyre pretendimeve. Ndërkohë kthimi në Partinë Socialiste është vendimmarrje e vetë zotit Tahiri”, pohoi Taulant Balla.
Artan Hoxha: Ish-deputeti grek nën hetim për flamurin gjigant në Bularat
Gazetari investigativ Artan Hoxha tregoi detaje të reja në lidhje me ceremoninë e funeralit të Kostandin Kacifas në Bularat. Nisur nga hetimet e shtetit shqiptar dhe shpalljen non grata të 52 personave, Hoxha tha se një ish-deputet grek akuzohet për futjen në territorin shqiptar të flamurit gjigant që u shpalos në funeral.
“Mes listes se 52 shtetasve greke te shpallur “te padeshirueshem”, qe u ndalohet hyrja nga 10 deri ne 15 vite ne Shqiperi, per shkak te cenimit te rendit kushtetues dhe sigurise kombetare, eshte dhe Harallamb (Babis) Karathanos. Ai u shoqerua nga policia e Gjirokastres pas ceremonise mortore ne Bularat diten e enjte dhe u mbajt per 7 ore ne izolim per shkak se rezultoi te kete hyre ne territorin shqiptar ne rruge te paligjshme. Karathano ka qene per 7 vite drejtues i SFEVA – (Bashkimi i Studentëve për Lirine e Vorio-Epirit), si dhe deputet i parlamentit grek perfaqesues i Partise Demokracia e Re (Nea Demokratia) dhe Partise ekstremiste te djathte Populli (LAOS). Karathanos, tashme nje perfaqesues politik i partise ekstremiste ultra te djathte Agimi i Arte, akuzohet se eshte organizatori dhe drejtuesi i maskarades antishqiptare te Bularatit. Nga informacionet e siguruara ne rruge operative rezulton se Karathano dhe disa persona te evidentuar si ekstremiste te Agimit te Arte kane hyre ne territorin shqiptar ne menyre te paligjshme. Ai ka mundur qe nepermjet nje kamioncine, e cila dyshohet se ka hyre ne Shqiperi nepermjet pikes se kalimit kufitar te Sopikut, te kete futur flamurin e madh grek me parrulla antishqiptare qe u shpalos ne Bularat dhe ne rrugen nacionale Kakavije-Gjirokaster. Karathano dhe grupi i personave qe e shoqeronin kane marre pjese dhe ne incidente te tjera te meparshme me karakter antishqiptar brenda dhe jashte territorit tè Republikes se Shqiperise.” – tha Hoxha në studion e ‘Java në RTSH”.
Zogaj: Zgjedhjet si festë e demokracisë dhe si dramë e Shqipërisë
Emisioni “Java në RTSH” diskutoi këtë të premte për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Pedagogu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritan Hoti, tha se këto zgjedhje ku demokratët fituan shumicën në dhomën e Kongresit, ndërsa republikanët mbajtën Senatin, prodhuan një ekuilibër të ri në SHBA. Hoti theksoi se mbështetja e Shqipërisë në sfidën e saj të madhe për të krijuar një rend demokratik të mbështetur në funksionimin e ligjeve dhe institucioneve permes zbatimit të reformës në drejtësi, do të forcohet akoma më shumë pas këtyre zgjedhjeve .
Paraqitja e panoramës së zgjedhjeve në SHBA u shoqërua, siç është zakon në emisionin “Java” me një shënim të Preç Zogajt, njërit prej analistëve dhe drejtuesve të këtij emisioni.
“Edhe njëherë, si përherë, emocioni i garave të bukura kokë me kokë apo i zgjidhjes së disa dueleve epike në fotofinish përfshiu miliona njerëz në mbarë botën, thuhej në shënimin e Zogajt që shtonte. “Shija e zgjedhjeve në SHBA, presidenciale apo parlamentare, është gjithnjë ajo e një feste të madhe të demokracisë, pjesë e së cilës janë jo vetëm fishekzjarret e fituesve, por edhe lotët e atyre që humbasin.
Sepse në fund të fundit, përmbi këto emocione të lidhura me garën dhe rezultatin e radhës qëndron bashkimi i të gjithë zgjedhësve, pavarësisht nga ngjyrat, në fuqinë sovrane të votës së lirë. Qëndron vetëdija e tyre se secili veç e veç e të gjithë bashkë vendosim përnjimend”.
“Të zbresësh nga ndjesia dhe shija e zgjedhjeve në SHBA te realiteti i zgjedhjeve në Shqipëri është si të biesh në një humnerë”, vijonte shënimi në fjalë. “Ne nuk kemi kandidatë, nuk kemi emra dhe mbiemra. Kemi sigla. Nuk kemi zgjedhës, por kryetar partish që mbyllen diku dhe bëjnë listat. Nuk kemi garë që kush të mundë kundërshtarin me alternativë dhe personalitet, por kush t’i hyjë në zemër kryetarit të radhës që ky ta fusë në pjesën fituese të listës.
Populli nuk ka për kë të votojë. Me futjen e shitblerjes së votës, populli nuk është më ai që vë vulën. Sa meskine, sa e neveritshme! Zgjedhjet tona nuk janë festë, por dramë.
Deri kur?”
ma.me