Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, në një dalje për median pas senacës në Gjykatën Administrative, tha se emërimi i Ols Dados si prokuror është i pavlefshëm, duke theksuar se edhe nga qëndrimi i Presidencës sot në seancë u konfirmua se kriteret ligjore nuk janë përmbushur dhe se, nëse procedura do të zhvillohej sot, ai nuk do të mund të emërohej në këtë detyrë.
“Doli i qartë në këtë gjykim, edhe nga pyetjet që i bëmë përfaqësuesit të palës së paditur, pra nëse i plotëson ose s’i plotëson kriteret Ols Dado, doli e qartë që s’janë të plotësuara. E gjithë padia ka një qëllim, që të investojë gjykatën dhe të kuptojmë a kemi një prokuror që po ngre padi ndaj Erion Veliajt apo është një qytetar i thjeshtë që ka marrë atribute të një prokurori. Kjo hap një precedent, sepse çdo qytetar mund të bëhet prokuror dhe të kthehet në prokuror në shkelje të afateve”, tha Ndreca.
Ai shtoi se: “Pyetja është: A është apo s’është prokuror Dado? Kemi të bëjmë me një akt absolutisht të pavlefshëm dhe kemi kërkuar konstatim të pavlefshmërisë absolute. Doli e qartë nga mospërgjigjja e tij që kriteret e nenit 18 nuk plotësohen. Doli edhe nga përgjigja e përfaqësueses së presidencës. Ne presim nga pala e paditur që të na provojë të kundërtën nëse ka ushtruar detyra në ato raste që ligji i konsideron si shkaqe përjashtimore. Kjo s’është shkelje, është mosplotësim kriteresh, paligjshmëri dhe pavlefshmëri. Secili prej nesh mund të bëhet prokuror dhe t’u heqë lirinë njerëzve. Nuk e lejon ligji që të ekuivalohet puna si noter. Janë të përcaktuara në mënyrë shteruese dhe jo zgjeruese”, tha avokati Ndreca.











