Avokati i Popullit të Kosovës ka publikuar raportin lidhur me vendimet gjyqësore, për heqjen dhe kthimin e zotësisë për të vepruar, personave me aftësi të kufizuara mendore – ngecje në zhvillim mendor, të cilët janë rezidentë në institucionet e menaxhuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
Pas realizimit të vizitave të zyrtarëve të IAP-së në institucionet e lartpërmendura dhe analizës së raporteve zyrtare nga këto vizita, rezultoi se nga gjithsej 124 rezidentë, të vendosur në Institutin Special në Shtime (ISSH), Shtëpinë e Fëmijëve me aftësi të kufizuara mendore (SHF) në Shtime, si dhe në Shtëpitë me bazë në komunitet (SHK), në Ferizaj, Vushtrri, Deçan, Kamenicë, Graçanicë, 41 prej tyre nuk posedonin vendim gjykate, 12 prej tyre nuk posedonin asnjë dokument identifikimi, ndërsa 9 prej tyre ishin ende me letërnjoftime të UNMIK-ut, referuar “Koha Ditore”.