Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi, ka reaguar pas lajmit të publikuar nga analisti Shpend Gashi, i cili pretendonte se i ka mbërritur në telefon një mesazh se një avion nga Izraeli do të sillte në Shqipëri pajisje kundër trazirave për Policinë e Shtetit, në kushtet e protestave kundër qeverisë në Tiranë.
Hysi e cilëson këtë pretendim si të fabrikuar dhe e lidh përhapjen e lajmeve të tilla me rrezikun e manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjes së huaj, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe mediave të verifikojnë faktet përpara se të besojnë apo të shpërndajnë informacione të pakonfirmuara.
Reagim i zëdhënësit të MEPJ, Alteo Hysi, për TCH:
“Informacioni i saktë dhe i besueshëm është një nga shtyllat themelore të një shoqërie demokratike. Thuajse çdo ditë, në një hapësirë mediatike që nuk kufizohet më vetëm te mjetet tradicionale të informimit, përballemi me njoftime që paraqiten si lajme, marrin dhenë dhe konsumohen si të vërteta, edhe pse më pas rezultojnë të pavërteta.
Vetëm pak ditë më parë qarkulloi pretendimi, i shoqëruar edhe me imazhe të fabrikuara, se Policia e Shtetit kishte kërkuar ndihmën e një vendi fqinj për të sjellë forca shtesë policore në Shqipëri. Siç ndodh rëndom, lajmi bëri xhiron e rrjeteve sociale përpara se të përgënjeshtrohej. E njëjta gjë ndodhi me pretendimin për një numër të shtuar fluturimesh nga Izraeli, i cili u përgënjeshtrua nga Aeroporti “Nënë Tereza”.
Dje mori dhenë një tjetër pretendim, këtë herë i veshur me petkun e një “intelligence report” për t’i dhënë më shumë besueshmëri, sipas të cilit një avion nga Izraeli do të sillte pajisje për policinë. Edhe ky pretendim bëri xhiron e zakonshme dhe, edhe këtë herë, bëhet fjalë thjesht për një fabrikim.
Lajme të tilla të rreme janë të papërgjegjshme dhe të dënueshme.
Por ato nuk janë as të panjohura dhe as domosdoshmërisht rastësore. Kur fabrikohen dhe shpërndahen me synimin për të nxitur mosbesim, pasiguri apo tensione në shoqëri, ato shndërrohen në instrumente të manipulimit të informacionit. Kur pas tyre qëndrojnë, ose ato nxiten e amplifikohen nga aktorë të huaj, kemi të bëjmë me një dimension edhe më shqetësues: ndërhyrjen e huaj përmes manipulimit të informacionit, e cila përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, besimin publik, kohezionin shoqëror dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Në një epokë kur informacioni përhapet me shpejtësi të jashtëzakonshme, verifikimi i fakteve përpara se të besojmë apo të shpërndajmë një lajm nuk është vetëm përgjegjësi e medias. Është edhe përgjegjësi qytetare.
Çdo shpërndarje e pakontrolluar mund t’i japë jetë një gënjeshtre dhe ta shndërrojë atë, në perceptimin publik, në një “realitet” të rremë, me pasoja potencialisht të rrezikshme për rendin publik, sigurinë, besimin te institucionet dhe funksionimin normal të demokracisë.
Jo çdo gjë që qarkullon është lajm. Dhe jo çdo lajm që qarkullon është i vërtetë. Verifikimi i fakteve është mburoja më e mirë ndaj manipulimit; përgjegjësia në informim, mbrojtja më e mirë ndaj dezinformimit”.
Në mesazhin e formuluar si raport të inteligjencës që analisti Gashi pretendon se ka mbërritur në telefonin e tij shkruhet: “RAPORT INTELIGJENCE – 18 TETOR 2026
Lënda: Raportohet për dërgesë pajisjesh kundër trazirave nga Izraeli drejt Shqipërisë
Sipas informacioneve të marra sot nga burime izraelite, qeveria izraelite raportohet se po dërgon një avion drejt Shqipërisë nesër, më 19 tetor, me pajisje kundër trazirave për qeverinë e Edi Ramës, në kushtet e protestave të vazhdueshme kundër qeverisë në Tiranë.
Dërgesa e raportuar vjen pas Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Përgjithshëm Shqipëri–Izrael, e nënshkruar më 12 tetor 2026 në Tiranë nga ministrat e Jashtëm Gideon Sa’ar dhe Ferit Hoxha, e cila përfshin edhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë”.











