Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qëndro deklaroi se dëmtimet që vijnë në autostradën Tiranë-Durrës për shkak të mbingarkesave me mjete të tonazheve të rënda në këtë aks.
Qëndro theksoi se në këtë rrugë nuk ka pasur rehabilitim, i cili ka qenë i domosdoshëm për funksiononin e saj. Po ashtu ai theksoi se normat e lejimit të qarkullimit nuk janë respektuar edhe për shkakun se përmes këtij segmenti lidhen dy qytete të mëdha në vend.
Pyetje: Nënkontraktorët të cilët kanë punuar për kompaninë Serenisima për bypassin e Fierit dhe të Vlorës dhe që sot nuk janë paguar ende për punimet që kanë bërë dhe punëtorët kanë ngritur disa shqetësime shoqëruar edhe me protesta para ARRSH-së dhe para parlamentit për të gjetur një zgjidhje dhe kërkonin ndërhyrjen e qeverisë dhe konkretisht të ARRSH-së. Si do të procedohet dhe cili është qëndrimi që ka Autoriteti Rrugor?
Autoriteti Rrugor e njeh këtë si problem. Ne i kemi takuar disa herë, përfaqësuesit e kompanive, kemi biseduar me ta. Ata në një moment të dytë kanë zgjedhur edhe një studio ligjore konsulente, e cila ka ardhur ka bërë disa takime me Autoritetin Rrugor dhe ditën që kanë protestuar para Autoritetit Rrugor, një përfaqësi të tyre unë e kam pritur në zyrë, ndërkohë që po protestonin. Dua të sqaroj opinionin publik mbi këtë lloj situate. Në by passin e Fierit dhe by passin e Vlorës kompania e cila ka fituar garën dhe është marrë me ndërtimin e këtyre dy by passeve ka dy lloj nënkontraktorësh: kontraktorë të nominuar dhe të njohur nga Autoriteti Rrugor dhe nënkontraktorë të cilët i ka nënkontraktuar vetë, në bazë të ligjit të marrëdhënies civile që kanë dy kompani me njëra-tjetrën. Realisht kemi një numër të caktuar, kemi 47 kompani në Fier dhe 34 kompani në by passin e Vlorës të cilat kanë pretendime për mos shlyerjen e detyrimeve që ka Serenisima ndaj tyre. Sa janë të vërteta punimet që kanë kryer këto kompani në terren në të dyja by passet, ne këtë e kemi të verifikuar nëpërmjet supervizorit në raportin final që ka bërë supervizioni sepse kjo kompani para pak kohësh ka shpallur falimentin dhe nuk është më duke kryer punimet në terren. Dua t’ju bëj me dije që Autoriteti Rrugor nuk ka asnjë detyrim ligjor që të bëjë pagesa për nënkontraktorët të cilët kanë kontratë me Serenisimën, nëqoftëse e bën një gjë të tillë, shkel ligjin. A kanë të drejtë nënkontraktorët apo jo? Janë në të drejtën e tyre. Ne kemi një shkresë zyrtare nga Serenisima ku i njeh kompanive detyrimin që u ka atyre, ne e kemi këtë, ndërkohë që nuk kemi asnjë veprim fundor, që do të thotë të kemi ndonjë vendim gjyqi ose veprim gjyqësor midis kompanive që kanë borxhe dhe Serenisimës, ne thjesht kemi pretendimin shoqëruar me disa fatura që këto kompani kanë punuar me Serenisimën. Kjo është situata. Gjithashtu dua të bëj me dije që Autoriteti Rrugor me kompaninë Serenisima është në gjyq, në momentin që ata kanë shpallur falimentin, Autoriteti Rrugor ka filluar gjyqin. Kanë filluar gjyqet e para në korrik, jemi në tre gjyqe, sepse jemi në gjyq për paradhënien dhe për garancinë e kontratës, dhe për garancinë e kontratës tek njëri by pass. Nuk kemi ne një përfundim të asnjërit prej proceseve gjyqësore. Dhe garancitë që ka vendosur firma Serenisima për ndërtimin e këtyre dy by passeve janë akoma të bllokuara në bankë sepse jemi në proces gjyqësor. Dua të bëj gjithashtu me dije, se kjo kontratë ka filluar shumë vite më parë, nuk është kontratë e lidhur tani me Autoritetin Rrugor, dhe kjo është një problematikë që ka kaluar nëpër institucionet shtetërore disa herë. Për të qenë më të përgjegjshëm dhe për të qenë më të sigurtë në përballjet me seancat gjyqësore që kemi me Serenisëm, Autoriteti Rrugor ka kërkuar përfaqësim nga Avokatura e Shtetit, në këto gjyqe me qëllim që ne t’i fitojmë këto gjyqe dhe këto lekë të jenë në arkat e shtetit shqiptar, sepse i takojnë shtetit shqiptar, me qëllimin që gjithë punimet e ngelura të bëhen me këto lekë që kanë ngelur nga fondi i cili ishte parashikuar për ndërtimin e rrugëve. Në finale zotij Biba, unë e ndoqa sot në transmetimin live që ju bëtë, nuk thotë të vërtetën ose më saktë gënjen, kur thotë se Autoriteti Rrugor ka thënë se do t’ju japë lekët. Autoriteti Rrugor në takimet që ka bërë këtu, unë si drejtor i Autoriteti Rrugor sëbashku me drejtorin juridik, sëbashku me drejtorin e PMU-së që ndjek të dy by passet dhe me specialistë të ARRSH ju kemi thënë që kjo është situata. Ne e kuptojmë edhe vështirësinë që kanë ata por ne shkelim ligjin, nëqoftëse likuidojmë ato fatura sepse nuk njihen ligjërisht nga Autoriteti Rrugor. Kjo është pak a shumë e gjithë situata që paraqitet në by passin e Fierit dhe Vlorës.
Pyetje: A ka dikush përgjegjësi në lidhje me situatën që ka ndodhur në dy bypasset e Fierit dhe të Vlorës, dhe pse organet shtetërore duhet të kishin marrë masa më përpara para se të krijohej një situatë e tillë.
Besoj që nuk është përgjegjësi e Autoriteti Rrugor kjo. Nëqoftëse një kompani private që ka një kontratë me shtetin, bën marrëveshje kontraktuale me kompani të tjera, kjo është një çështje civile dhe arbitri në këtë rast, nuk është Autoriteti që ka dhënë punën është gjykata. Ata duhet t’i drejtohen gjykatës, siç i jemi drejtuar ne në rastin konkret me gjyq Serenisimës. Dhe në momentin që ka në vendim final për gjithë marrëdhënien që ka Serenisima me të gjithë kontraktorët atëherë vihet verifikohet në terren se cfarë janë nga këto që pretendojnë dhe merret një vendim. Por ne në protestë nuk kemi vetëm nënkontraktorë që kanë kryer punë civile, ne kemi edhe furnitorë. Nga të gjithë ata njerëzit që protestojnë, kemi dy kategori: kemi nënkontraktorë që kanë kryer punë civile dhe furnitorë të firmës Serenisima. A mbajnë përgjegjësi tatimet? Nuk mendoj, nuk jam kompetent të flas për atë punë, por tatimet njohin faturën tatimore që kryen marrëdhëniet dy kompanitë me njëra tjetrën. Kjo është situata për të cilën ata protestojnë dhe në fakt qëndrimi dhe shfrytëzimi politik i këtyre situatave nuk është në të mirën. Nuk është një kontratë kjo e lidhur tashmë nga Autoriteti Rrugor, është një kontratë lidhur para shumë vitesh, jemi në të vërtetë në një situatë shumë të keqe më të dyja by passet, ndërkohë që by passi i Fierit duhet të kishte mbaruar me kohë. Ne kemi bërë veprime të përgjegjshme, kemi hapur gjyq me Serenisimën, kemi shpallur garën dhe jemi në pritje të mbarimit të garës, për t’i përfunduar këto dy bypasse. Përsa i përket pretendimeve që kanë protestuesit, për mospritje nga ministri, mos takim nga ministri, unë ia kam bërë me dije ministrit të gjithë problematikën dhe me autorizimin e ministrit unë i kam bërë gjithë këto takime, në mënyrë të vazhdueshme. Dhe kanë qenë 6-7 takime, nuk ka qenë një i vetëm. Megjithatë ata kanë të drejtë të protestojnë, por mos të gënjejnë në ato që deklarojnë.
Pyetje: Një pretendim i kontraktorëve është që nëse fitojnë gjyqin me Serenisima ata mund të vendosin sekuestro mbi punimet e by passit, c’ka mund të ndalë edhe përfundimin e këtyre dy segmenteve…
Qëndro: Unë nuk mund të parashikoj se çdo të ndodhë mbasi të mbarojnë gjyqet. Ka hapësira në ligj, i rregullon ligji të gjithë marrëdhëniet midis shtetit dhe kontraktorëve. Kur të vijë kjo situatë do të shfletojmë ligjin dhe sipas ligjit do të veprojmë.
Pyetje: Ka pasur disa protesta të banorëve për bypassin e Shkodrës. Cila është situata?
Qëndro: Realisht kemi një bllokim të një loti të bypassit të Shkodrës. Bypassi i Shkodrës është me dy lote. Ka pasur një pretendim nga bashkia Shkodër e cila thotë që banorët nuk duan që të zbatohet projekti i cili ka nisur në zbatim edhe ky para shumë vitesh. Dua të bëj me dije që projekti i bypassit të Shkodrës kur është hartuar nga autoriteti rrugor apo ish drejtoria e rrugëve ka marrë miratimin nga bashkia shkodër, që do të thotë pasi është miratuar projekti nga autoriteti rrugor ka marrë dakordësinë nga bashkia Shkodër, pastaj është kryer gara dhe kompanitë po punojnë për zbatimin e atij bypassi. Bashkia aktuale thotë që ne nuk jemi dakord me atë çka ka qenë dakord bashkia paraardhëse. Ne e kemi njohur këtë si shqetësim. Unë kam bërë personalisht disa takime kryetaren e bashkisë Shkodër në autoritetin rrugor. Ne jemi dakordësuar me bashkinë Shkodër për ti gjetur një zgjidhje gjithë situatës. Bashkia Shkodër ka kërkuar një sqarim të opinionit publik në sallën e këshillit bashkiak të bashkisë Shkodër. Unë kam shkuar aty sëbashku me specialistët, bashkë me kompaninë. I kemi bërë këto sqarime në sallën e këshillit bashkiak. Bashkia Shkodër mban një qëndrim thotë, pavarësisht kësaj ne nuk e duam që projekti i miratuar po nga bashkia Shkodër të zbatohet. Jemi në diskutime për ti dhënë një finalizim gjithë problematikës së gjithë këtij diskutimi të madh, por ka dy rrugë. Ose do të përmirësojmë projektin që është duke u zbatuar ose duket ta ndërpresim projektin. Për këtë përgjegjës është ai që kërkon ndryshimin e projektit. Në rastin konkret bashkia Shkodër e ka miratuar që të zhvillohet ky projekt dhe po bashkia Shkodër thotë unë nuk jam më dakord. Le ta mbajë përgjegjësinë bashkia Shkodër që ky projekt të mos të zbatohet të dërgojë me shkresë dhe ne pastaj të shikojmë të gjitha hapësirat ligjore se çdo të bëhet me këtë projekt. Por nuk mundet që ne të lëmë në mes një projekt i cili ligjërisht është i saktë dhe i ka kaluar të gjithë filtrat ligjorë që në hartimin e projektit deri në zbatim. Është një problem që unë mendoj që shumë shpejt, ne kemi kërkuar edhe një takim tjetër me kryetaren e bashkisë Shkodër bashkë me zv.ministrin e ministrisë sonë. Besoj do ta realizojmë këto ditë. E kemi parashikuar në buxhet dhe presim që të marrë një zgjidhje.
Pyetje: Kohët e fundit ka pasur disa shqetësime përsa i përket segmentit rrugor Tiranë-Durrës, pasi ka pasur një dëmtim të këtij segmenti. A parashikohet ndërhyrja?
Realisht kemi një gjendje jo të mirë teknike të aksit Tiranë-Durrës. Kjo vjen për disa arsye. Kemi një aks të ndërtuar disa vite më parë. Ka qenë i ndërtuar për një numër të caktuar mjetesh që kalojnë në të. Ka qenë afërsisht diku tek 23 mijë mjete. Nga majtët që kemi bërë ne në këtë aks rrugor qarkullojnë rreth 47-50 mijë mjete në ditë. Kjo është e para. E dyta ky është aksi më i ngarkuar në trafik pothuajse në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Nga ana tjetër në të gjithë këto vite që pas ndërtimin të saj ka pasur vetëm mirëmbajtje rutinë. Nuk ka pasur rehabilitim i cili ka qenë i domosdoshëm për mënyrën sesi funksionon ky aks dhe për të gjithë problematikën që kemi. Ne kemi shqetësim të madh në rrugët shqiptare që ka të bëjë me peshën për aks. Ne kemi realisht raste kur pesha për aks është mbi normën e lejuar dhe kjo dëmton shtresat e asfaltit dhe shtresat e rrugës. Kjo është përsa i përket gjendjes Tiranë-Durrës. Aksi Tiranë-Durrës është pjesë e kontratës së mirëmbajtjes me performancë që Autoriteti Rrugor ka gati një vit ka lidhur në bashkëpunim ne Bankën Botërore. Ne kemi realizuar të gjitha matjet mbi gjendjen teknik, për gjendjen e shtresave siç i parashikon kontrata. Kemi hartuar një projekt rehabilitues si pjesë të kontratës i cili na jep ne garancinë për 10 vjet që kjo rrugë do të jetë në kushtet që kërkon kontrata. Ky projekt është hartuar, ka pak ditë që është në duart e supervizionit të kontratës ose konsulentit monitorues siç quhet në rastin konkret. Ne presim që edhe ata të japin opinionin e tyre dhe në kuadër të gjitha kontratës së mirëmbajtjes që kemi me Bankën Botërore, nuk është vetëm aksi Tiranë-Durrës janë disa akse Shkodër-Muriqan, është pjesa e Fierit, është pjesa e Pogradecit, është Shkodër-Pukë janë disa akse. Është rruga që të çon Burrel-Klos-Bulqizë. Jemi në procesin përfundimtar të bërjes së këtyre projekteve të cilat nuk kalojnë në filtrat e konsulentit. Do të miratohet dhe në bashkëpunim me bankën ne mendojmë që në pranverë të fillojmë me këto pjesë rehabilituese. Një vëmendje shumë të veçantë ne i kemi kushtuar aksit Tiranë-Durrës sepse realisht është aksi më problematik dhe aksi me qarkullimin më të madh të mjeteve në ditë.
Pyetje: Sa kushtin rehabilitimi i këtij aksi dhe a është përfshirë zgjerim…
Jo, nuk parashikohet zgjerim, këto dy korsi, është me dy plus dy. Rehabilitimi konsiston në riparimin e shtresave të paketës asfaltike në sinjalistikë dhe në të gjithë elementët e tjerë. Nuk bëhet fjalë për zgjerim. Ju keni në mendje projektin që është bërë që bëni këtë pyetje. Autoriteti Rrugor vitin e kaluar ka miratuar një projekt që aksi Tiranë-Durrës ta bëjë me 3 korsi. Ai është një projekt i cili është në sirtar dhe në këtë vit me buxhetin e miratuar nuk është pjesë e buxhetit, sepse ne mendojmë që me rehabilitimin deri në 10 vjet ne fitojmë kohë. Do një studim më të hollësishëm a do të jetë një investim që do ta bëjë qeveria dhe shteti shqiptar me buxhetin e vet apo mund të ketë edhe mundësi të tjera që mund të jenë me PPP ose me koncesion, kështu që në këtë moment jemi në këtë situatë.
Pyetje: Fatura e rehabilitimit…
Do të jetë pjesë e kontratës së mirëmbajtjes që kemi ne me Bankën Botërore.