Autoriteti i Informimit për Dosjet e Sigurimit të Shtetit propozon disa ndryshime në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist
Ndryshimet prekin të internuarit në kampe me tela me gjemba; të lindurit dhe të miturit nën 15 vjeç në internim; rritjen e masës së dëmshpërblimit, me 25 vite burgim, për familjarët e të ekzekutuarve; vendosjen e pagesës fikse për të dënuarit me punë të detyruar si dhe zgjatje të afatit për subjektet përfituese.
AIDSSH konsideron të nevojshëm; “a) adresimin e përshtatshëm ligjor të situatës së personave që vuajtën në kampe të internimit me tela me gjemba me qëllim vërtetimin e periudhës së internimit si dhe masën e dëmshpërblimit. Për rastet e pamundësisë së evidentimit të numrit të saktë të ditëve të kaluara në internim në kampe me tela me gjemba, propozojmë parashikimin e një mase dëmshpërblimi fikse të përcaktuar në ligj në vend se me 1000 lekë për ditë siç është parashikimi aktual. b)Adresimin e përshtatshëm ligjor të situatës së personave që lindën në internim apo ishin të mitur, nën moshën 15 vjeç, në kushte të internimit, me qëllim mundësinë e verifikimit administrativ, vërtetimit të internimit, përcaktimit të rolit të AIDSSh në këtë proces, si dhe përfitimit të një dëmshpërblimi qoftë edhe simbolik. Përfshirja e këtij propozimi në ndryshimet e ligjit çon në rrëzimin e kufizimit moshor për përfitim nga të miturit që vuajtën në kampet e internimit me tela me gjemba”.
“c)Prioritizimin, për efekt pagese, të rrethit të familjarëve për viktimat e vrara apo të ekzekutuara gjatë komunizmit, harmonizimin e përkufizimit, në nenin 8, të “rrethit të familjarëve” dhe rrethit të trashëgimtarëve me Kodin Civil, për qëllime të përfitimit sipas nenit 7 të ligjit, si dhe barazimin e masës së dëmshpërblimit sipas nenit 7 jo me 8 vite burgim por me 25 vite burgim.
d) Zgjatja e afatit, deri më 31 dhjetor të vitit 2025, për të gjithë subjektet përfituese. Një afat më i gjatë do ishte i nevojshëm edhe për të krijuar mundësi dhe hapësira të verifikimit të përshtatshëm për kategoritë e lartpërmendura, nëse situata e tyre adresohet sipas këtyre sugjerimeve.
e)Përshpejtimin e procesit për dëmshpërblimet e mbetura. Për përfitues të cilët për shkak moshe a gjendjeje shëndetësore (si kur përfituesi është vetë ish-i përndjekuri përfitues, ashtu edhe për familjarë të viktimave të vrara apo të ekzekutuara), përfitimi i plotë i masës së dëmshpërblimit duket të ketë probabilitet të ulët, konsiderimin e mundësisë së pagesës së shumës së mbetur në një këst total të vetëm e jo me këste të copëzuara, në një kohë sa më të afërt.
f)Për të gjithë ish-të përndjekurit të cilët, në kushtet e vuajtjes së dënimit, kanë kryer edhe punë të detyruar (si për shembull në miniera) të konsiderohet mundësia e një pagese fikse mujore si shpërblim për punën e detyruar, e cila nuk prek përfitimet e tjera të deritanishme”.
Që prej vitit 2017 e deri me sot, Autoriteti ka trajtuar 1220 kërkesa të kësaj natyre ku një në tre ka rezultuar pa të dhëna arkivore./f.s