Nga Bedri Islami
Po bëhet një muaj që kur banorë të zonës, e njohur si Astiri, dalin në rrugë dhe protestojnë për prishjen e banesave të tyre, shtëpi apo dyqane, të cilat, duke u shembur, do të hapin rrugën e ndërtimit të Unazës së re të kryeqytetit.
Është e drejta e tyre që të provojnë të dalë një vendim, përmes të cilit të dëmshpërblehen në çmimin e tregut të gjithë banesat e planifikuara për t’u shembur, të legalizuara dhe të palegalizuara,edhe pse fare mirë e dinë se në shumicën e tyre nuk është një zgjidhje e ligjshme, dhe se, pavarësisht se prej 20 viteve të ngulur aty, e kanë pritur se mund të ndodhte, e po ashtu mund ta kenë mësuar se, premtimet elektorale nuk kanë asnjë vlerë kur merret pushteti ose kur humbet atë.
Në përpjekjet e tyre të natyrshme , jo që nga dita e parë, por disi më pas, duke e parë si një kauzë të re të hapur për ato, u janë bashkuar edhe figura politike të opozitës, të cilët, edhe pse paraqiten radikalë dhe shpirtdhëmbshur, më shumë i kanë bërë dëm protestës se e kanë ndihmuar atë.
Politizimi i saj, duke synuar tej shtrirjen si një kauzë e re , e përkohshme, e gjetur dhe jo e ndërtuar, jo vetëm nuk ka të bëjë me problemin real të Astirit, si shumësi dhe për secilin banor, por e ke sjallë të gjithën në një përpjekje vogëlane opozitare, si një shkas për të dëgjuar deklarata budallaqe, të fryra dhe pa mbulesë reale.
Në fakt, bashkimi i opozitës në një lëvizje qytetare, e cila u kornizua vetëm në ato që ishin të prekur nga vendimi, i bëri dëm asaj, dhe, nga ana tjetër, atë që Edi Rama dhe qeveria socialiste po humbiste përmes budallaqeve të saj, ia injektonin pikërisht zërat vetmitarë të opozitës.
Në ditët kur të majtët po zemëroheshin me shefin e tyre, aksioni opozitar, pa mend e pa ide, e spostoi vemendjen tek kundërshtari, i cili, duke futur hundët kudo që shikon se mund të bëjë një mishmash, dërgon një tufëz metingashësh politikanë, të cilët, as nuk mësojnë kënd dhe as nuk përçojnë një ide ndryshe nga sa kanë ripërsëritur dhjetra herësh.
Të gjitha qeveritë, në kohën e tyre, pavarësisht ngjyrave të zbehura, edhe kanë lejuar ndërtime pa leje, edhe kanë prishur ndërtime pa leje. Nuk bën përjashtim as opozita e tashme dhe as qeveria e sotme. Kanë qenë në të padrejtën e tyre kur kanë lejuar prishjen dhe janë përpjekur të futen në ligj kur kanë prishur për veprime madhore; ashtu si, me dëshirën e egër politike kanë prishur thjeshtë si një ndjenjë hakmarrëse ose gjobëvënëse. Opozita e tashme ka dhjetra shembuj të këtyre prishjeve, ndaj mos të bëjë virgjëreshën e politikës mbrojtëse.
Megjithatë , çështja Astiri, ka një autopsi politike. Në mos për tjetër ajo shërben si një shëmbëlltyrë ku një lëvizje qytetare kthehet në një objekt të verbër të politikës dhe prej saj lëvizin rrjedhime të dëmshme për vetë kohën, shoqërinë dhe pjesë të opozitës.
LSI dhe PD hynë në këtë lëvizje si një mish i huaj politik dhe si maisje kundërshtimi.
Të mbetur që nga lëvizja babaliste pa asnjë veprim konkret dhe nën mëshirën e gabimeve të pushtetit, me një shtator të ikur nga premtimi për një lëvizje masive antipushtet, ende nën dilemën zgjedhore, së bashku apo veç e më veç dhe, më tej, duke e pranuar apo jo si të dytën LSI-në në koalicionin opozitar; të çoroditur nga përmbysja e trupës drejtuese, përmes së cilës dolën në ballin e lëvizjes së tyre anonimë dhe për më tepër salianjas të vetëkënaqur, si dëshmi e mendimit amorf, rasti Astiri iu duk opozitës si një dhuratë nga qielli dhe iu sulën asaj pa e ditur as vetë se ku do të shkonin e përse do të shkonin.
Astiri bën autopsinë e opozitës në disa thelbe të lëvizjes së saj:
Lideri i opozitës, Basha në këtë rast dhe pas tij një tufë bashkëngjitës të pushtetit të tij opozitar, deleguan aty figura tek të cilët edhe vetë opozita nuk ka besim. Rasti më domethënës dhe njëkohësisht qesharak është ai i çunit të Balliut, përmes së cilit edhe lëvizja më serioze politike kthehet në një karikaturë të saj. Nëse do të kishin dashur ta zvetënonin atë, nuk do të kishin mundur të gjenin një më të devotshëm.
Prania afër tij edhe e disa të tjerëve, të cilët më shumë se për mend njihen për mesazhe erotikë dhe sajesa të atentateve me snajper, e degradon edhe më tej lëvizjen e Astirit, duke e bërë atë të bjerë nën nivelin e lëvizjeve të tjera të ngjashme, por edhe të pafrytshme. Nëse opozita , në një plan kohor të shkurtër, mund të fitojë një përkrahje rruge, këtë e humbet sumë shpejt në shikimin e përgjithshëm qytetar. E , për më tepër, sepse është e qartë se godinat do të prishen dhe se e gjithë loja politike e opozitës do të jetë vajtimi i një çasti, duke i kthyer shpinën halleve të tjera.
Spostimi i lojës politike të opozitës nga salla e parlamentit në rrugë, e për më tepër në një rrugë që nuk është edhe aq larg sallës parlamentare, i krijoi asaj edhe perceptimin e një koncepti humbës dhe drojës për të qenë e pranishme aty ku mund të merrej një vendim i veçantë dhe përmes tij të krijohej një precedent i mëtejshëm. Kur perdja të bjerë, atëherë do jetë e qartë se mbreti i opozitës ishte lakuriq, se për të ishte më e lehtë alibia e rrugës se e debatit.
Disa nga biznesmenët e ndërtimit të Rrugës së re janë njerëz afër opozitës, sidomos kreut të saj. Miq të tenderimit dhe të familjes. Mbështetës financiarë të saj dhe pagatorë të rregullt në zyrat kunetore.
Të tjerë janë ende të pa vënë në linjën e pagesës. Shembulli i mbylljes së aksionit opozitar në Rrugën e Kombit, pasi u bë transplantimi i dërgesës drejt kunatit, është indicie se kjo do të përsëritet, deri në çastin kur edhe detyrimet do të jenë mbyllur.
Kjo do e bëjë edhe më tej portretizimin e saj edhe më tej si një hanxhi politik, i cili nuk lejon të lëvizësh pë kryer detyrimin tënd, dhe, nga ana tjetër, e shndërron të gjithë lëvizjen opozitare në një Pazar të madh, përmes të cilit vetëm veqilharxhi i saj, mund të përfitojë. Dhe sinjal i bjerrjes të mëtejshme të shpresës se diçka mund të ndryshojë.
Në fakt, njerëz të afërt të shefit juridik të opozitës dhe njerëz të afërt të shefit faktik të saj, në javën e fundit , kanë filluar takimet e para me pronarët e firmave që do të jenë pjesë e ndërtimit të rrugës së re unazore. Për të rritur presionin mbi shtetin dhe për të hequr vëmendjen nga Astiri, si një çështje që po shkon drejt zgjedhjes, opozita ka menduar fillimin e protestës në një sektor tjetër, gjithnjë në vazhdën e së parës, që, edhe kur, pas tratativave financiare, opozitë – ndërtues, të shuhet lëvizja e Astirit, të ketë ende një kauzë të mëtejshme, e cila, edhe pse duket se vendos diçka në themelin e lëvizjes opozitare, në fakt përshfaq autopsinë e një opozite që ende nuk ka një vizion të saj për zgjedhjet e afërta lokale e aq m pak se çfarë do të ndreqë në të ardhmen.
Në fakt, autopsia paraqet ende një opozitë tregtare, e cila më shumë se mendimin, njeh allishverishin politik e financiar.