Për 45 minuta qyteti i Burrelit është shndërruar dje në mbrëmje në një qytet fantazëm. Nëpër rrugë nuk shikoje këmbë njeriu. Ndërsa lokalet në qendër të qytetit ishin të tejmbushura.
Kudo nëpër qytet ishte përhapur me shpejtësi fjala se mjeku pediatër, Dalip Gjoka, do të rrëfente historinë e tij pasionante për këngëtaren Bleona Qerreti në ekranin e Top Channel, në emisionin e Pasdites. Shumë nuk e besonin. Kudo dëgjoheshin biseda lidhur me këtë histori. Kishte që hidhnin batuta, të tjerë në moshë pak të thyer shfaqeshin dyshues për vërtetësinë e lajmit, kjo dhe për faktin se nuk dinë të përdorin rrjetet sociale, të tjerë tundnin gazetën, por shtonin se “pale kush po ja bën gropën doktorit”.
Kishte një rreshtim thuajse në dy kampe që e besonin dhe që nuk e besonin historinë. Lajmi se vetë doktori do të dilte në TV për të sqaruar situatën dhe kërkesës së tij ndaj Bleona Qerretit, i dha më shumë zjarr kureshtjes së qytetit. Kudo pyesnin se kur fillonte emisioni. Pasi u mor vesh që doktori do të dilte rreth orës 18 të mbrëmjes në ekranin e TV, si me magji të gjithë njerëzit u zhdukën nga rrugët, në drejtim të shtëpive dhe lokaleve. Ishte një atmosferë shumë elektrizuese.
Në errësirën e mbrëmjes dhe dritat e ndezura aty këtu qyteti filloi të ngjante si një skenë e stërrmadhe filmi. Kur panë doktorin në ekran ra një heshtje e thellë. Kurrë qyteti i Burrelit nuk kanë qenë më i heshtur se mbrëmja e djeshme. Asgjë nuk pipëtinte. Dëgjohej vetëm doktori. Jo Berisha, por Dalip Gjoka!
Pas fjalëve të para të tij dhe kërkesave në adresë të Bleonës, heshtja u thye menjëherë dhe kudo shpërthyen komentet. Qyteti I ngjante asaj skenës së filmit “Përrallë nga e kaluara”, ku fshati diskuton plot gumëzhitje në errësirë për martesën e Gjinos. Komentet më të shumta ishin ”ka qenë burrë i mirë doktori”, “po erdhi Bleona kush do i shkoje në dasëm Dalipit”, “tamam macukllan”, “menja si koke gruni”, “Bleona do vije nga Hollywood-i do e bëj Burrelin, Burrelwood”, “ta lumsha doktor” etj.
E gjithë kjo atmosferë ka vijuar për orë të tëra në qytet deri në orët e vona të natës, duke u kthyer në ngjarjen kryesore të dy dekadave të fundit të këtij qyteti.