Dalin detaje të reja lidhur me personin e plagosur në Elbasan, pasi në lokal i hodhën granatë.
I plagosuri Albert Alterziu, rreth 32 vjeç, rezulton i dënuar më parë, më konkretisht për vrasje. Ai dyshohet se në moshë të mitur, kur ishte vetëm 15 vjeç, në vitin 2001, ka vrarë një person të moshës së tij.
Për vrasjen e E.Shulit, ai u dënua me dhjetë vite burg, por për shkak të moshës së mitur, bëri vetëm 7 vite.
Paraprakisht dyshohet se edhe ngjarja e mëngjesit të sotëm ka ndodhur për hakmarrje.
Madje edhe në vitin 2013 ai u plagos me thikë, teksa rezulton person problematik.
Ngjarja e rëndë e mëngjesit të kësaj të premteje, ndodhi në lokalin “Binjakët” në lagjen “Partizani” të Elbasanit.
Në momentin e ngjarjes Alterziu ndodhej vetëm në lokal, ku me gjasë po e mbyllte atë, pasi ishin larguar dhe klientët e fundit.
Dyshohet se ai është mbajtur në vëzhgim dhe në momentin kur ka qenë vetëm, është hedhur granata.
Alterziu mbeti i plagosur rëndë, ku për disa orë ju nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, teksa gjendja e tij vijon të paraqitet kritike.
Nga ana e policisë po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe për identifikimin e autorit. /a.ç