Kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi shprehet se forca politike që drejton synon të jetë përcaktuese për qeverinë e re pas 25 prillit.
I ftuar në emisionin “Java ne RTSH”, ai tha se si forcë bashkëqeverisëse synon implementimin e disa reformave të rëndësishme. “Pas 25 prillit ne do të jemi pjesë e një qeverie shqiptare e cila duhet të marrë përsipër disa reforma të thella. Këtu e kam fjalën për ndryshimet e thella kushtetuese, ndryshime të thella ligjore, ndryshime të kodit zgjedhor dhe ligjin për funksionimin e partive politike.
Ne pretendojmë të jemi në qeveri por nuk është problem edhe nëse bëjmë një opozitë të fortë. Ne do preferonim që qeveria e re ti përkiste opozitës aktuale. Ne jemi vektorë opozitarë dhe kjo do të ishte preferenca jonë. Por nëse opozita e sotme nuk e bën detyrën e saj, ne s’kemi asnjë arsye pse t’i shkojmë pas”, tha Patozi.