Nga Frrok Çupi
Sot në mëngjes kisha një telefonatë me mikun tim që është nisur për në Francë para pak ditësh, për një trajnim mbi sigurinë publike. E dija se ishte në Paris.
-Ngelëm këtu- më tha sapo hapi telefonin; as biletat që kishim në xhep nuk pinë ujë.
-Ku ndodhesh tani, nuk je në Paris?
– Jam në një rajon larg, Gramat quhet; në Paris dua të shkoj, por asnjë tren nuk ndalon. Të gjithë trenat vijnë e ikin. Asnjë linjë treni nuk ka vende!- më tha miku im dhe më la dy mbresa:
E para, se si po më vinte që ai nuk po e kapte Parisin sot në mesditë.
E dyta, ajo që më bëri më shumë të mendohem: Një shtet i pasur ka shumë lëvizje, domethënë i lëviz gjaku e jeton fuqishëm; një qytetari e zhvilluar është bërë ashtu për shkak të shpejtësive.
Ku është Gramati? Hyra në Google: Gramati- një rajon në jugperëndim të Francës, me nja tremijë e ca banorë, plot katedrale e kështjella. Distanca deri në Paris është rreth 560 kilometra; por koha për të kapur Parisin varet me cilin mjet dhe me çfarë shpejtësie udhëton. Me veturë- 5 orë, me tren bëhet për rreth 6 orë, me trenin e natës bëhet për dy orë më shumë- rreth 8 orë me tren dhe autobuz akoma edhe dy orë të tjera- rreth 10 orë.
Një ‘katund’ i largët në Francë, më mbeti në mendje për shkak të pasurisë dhe të lëvizjes. ‘Asnjë linjë treni nuk ka vende’, më tha miku im.
Është një tregim shumë i thjeshtë, vërtet; por kur vjen ‘në shtëpinë e hallexhiut’, siç e thotë populli në një mënyrë tjetër, atëherë të peshon shumë; peshon pavarësisht sa i thjeshtë është tregimi me ‘botën e zhvilluar’. Ne, këtu në Tiranë, na qëlloi që të na godasë fort nocioni dhe nevoja për lëvizje. Dje sapo mbaroi punë një seancë Parlamentare, ku me zor të madh nxori kokën një vepër e re, e madhe, e pa ndodhur kurrë në vendin tonë- Porti i Ri i Durrësit. Normal që do të lindte me zor të madh, sepse një ‘peshë’ e madhe në çdo maternitet lind me vështirësi. Aq më shumë në një maternitet plot infeksione që ndalojnë rritjen dhe shpejtësinë. Porti i Ri është një nga ato vepra që do t’ia rrisë lëvizjen mbarë kombit dhe vendit tonë. Efekti i parë i shpejtësisë është që do të krijohet ‘Parku dy-Qytetës’ me dy rajone bashkë (Tiranë e Durrës), dhe që sipas disa të thënave do të quhet ‘Duran’. Lëvizja do ta bëjë vendin tonë që të njihet sipas një harte të re përtej ‘hartës’ së staniacionit dhe dembelizmit mesjetar. Porti, fillimisht, do të vendoset në një truall me sipërfaqe prej 812 600 m2. Do të ketë të përfshirë 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total. 80 000 metër katror hapësira të gjelbra (sa një qytet i kategorisë së dytë), dhe një gjatësi plazhi 700 metra. Parashikohen 12 000 qytetar të punësuar… Për të ardhur nga Durrësi në Tiranë do të duhen vetëm pak minuta, sepse do të jesh brenda të të njëjtit qytet, jo 500 e ca kilometra sa Gramat- Paris.
Ndërsa shumëfishohet lëvizja me botën. Edhe shpejtësia e marrëdhënies me të tjerë dhe me njëri tjetrin bëhet njëmijë fish. Tre portet e tjerë të vendit sapo kanë nisur projektin e zhvillimit; për pak vite do të dalin mbi ‘ujërat e shpejtësive të ulëta’. Janë edhe tre aeroporte të rinj…
Pyetja që po shtrohej dje në Kuvend ishte e thjeshtë: Të lëvizim apo jo? Të shtojmë shpejtësitë, apo të ruajmë derisa ndryshku të hajë edhe bigën ‘Adem Reka’ të vitit 1968?
As Atdheu, asnjë trup tjetër, nuk jeton pa lëvizje.
Me çfarë shpejtësie do të lëvizim?!- kjo është çështja. Ndërsa një pjesë e madhe e politikanëve të vendit tonë mendojnë se ‘ le të rrimë kështu si jemi…, presim trenin edhe kur nuk vjen’. 35 deputetë në Kuvend, dje, nuk e votuan ndërtimin e Portit të Ri.
A është politika inerte, apo është lëvizja ajo që e zhvillon vendin?…
Sikur të bëheshin shumë pyetje, tribuna e ‘no way!’ do të zbrazej pak nga pak, nga 35 që janë- në 34, nga 34 në 4…
Ka ligjësi: Sepse mungesa e shpejtësisë na la në prapambetje përballë qytetërimit perëndimor; nuk ishte ideologjia, por mungesa e shpejtësisë! U kanë gënjyer ata që u thanë se ‘ideologjia jonë është fitimtare’. As ideologjia se ‘po na marrin Portin’, nuk e zhvillon vendin. Ideologjia në Parlament e paraqet në mënyrë të gabuar realitetin; qëllimisht në mënyrë të shtrembëruar. Ideologjia nuk e ka kriter të vërtetën; shpejtësia po; edhe lëvizja- po; si kategori të shkencës.
Ndryshe po na detyrojnë të presim trenin e natës, ose as trenin e natës…, ku Gramat- Paris bëhet për dhjetë orë, në vend të pesë orëve.