Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale Evis Sala, ka dalë në një konferencë për mediat ku ka zbuluar vendimet e marra këtë të enjte, më 26 mars, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Ministrja Sala tha se qeveria ka miratuar sot disa ndryshime sa i takon funksionimit të Komisionit të Çmimeve të Barnave.
“Me miratimin sot në këshillin e ministrave në vendimin numër 645, datë 1.10.2014, për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të komisionit të çmimit të barnave u hodh një hap i rëndësishëm për të garantuar më shumë transparencë, stabilitet dhe siguri në tregun e barnave në Shqipëri.”, tha ajo.
Sala shtoi se ky vendim “Vjen si një nevojë e hershme për përmirësimin e metodologjisë së përcaktimit të çmimit të barnave, për shpejtimin e procedurave dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm të barnave për qytetarët.”
Synimi kryesor është disponibiliteti i qëndrueshëm i barnave në treg duke shmangur rrezikun për mungesa, veçanërisht për barnat që janë alternativa të vetme në listën e rimbursimit apo në pripërdorimin spitalor.
Sipas ministres, ky hap nuk synon të rrisë çmimet, por synon të rrisë gjithashtu transparencën në përcaktimin e çmimeve, të përshpejtojë procedurat administrative.
Vendimi sipas ministres parashikon: Përcaktim më të qartë të çmimeve përmes një metodologjie të standardizuar, përshpejtim të afateve dhe procedurave për të shmangur mungesat, një dispozitë të veçantë për vitin 2026, për të siguruar që barnat të mos tërhiqen nga tregu, garantimin e qëndrueshmërisë së barnave dhe një treg farmaceutik më të sigurt, si dhe sigurimin që çdo pacient në Shqipëri të ketë barna “në kohën e duhur dhe me standarde të garantuara cilësie”.
Ministrja njoftoi gjithashtu se qeveria po punon për të mundësuar rimbursimin për personat me diabet tip 1 që nga viti 2027, duke e cilësuar këtë një prioritet.











