Partia Republikane ka mbajtur sot Asamblenë Kombëtare. Gjatë fjalës së tij, kreu i PR-së Fatmir Mediu tha se partia e tij ka ndërmarrë një nismë sa i takon dialogut opozitë-pozitë. Sipas Mediut, dialogu mes palëve politike të bëhet me kushtet e Bundestagut. Ai foli për vendimin për negociatat, duke e cilësuar 18 tetorin një nga ditët më dramatike të historisë politike të Shqipërisë.
“Nga kriza dilet vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Mediu duke propozuar ndërtimin e një Komiteti Kombëtar për Integrimin Europian.
Aleati historik i demokratëve ka nxjerrë edhe dy emra të njohur për të drejtuar këtë komitet. Bëhet fjalë për dy ish-ministra të Jashtëm znj. Arta Dade dhe z. Besnik Mustafaj.
“Propozoj ndërtimin e një Komiteti Kombëtar për integrimin Europian. Ky komitet të bashkëkryesohet nga dy ish-Ministra të Jashtëm, konkretisht z.Besnik Mustafaj dhe Zonja Arta Dade. Në përbërje të tij të jenë ish-kryeministra, ish-ministra të Jashtëm dhe të Integrimit, ish- kryetarët e Komisioneve të Integrimit Europian të Parlamentit”, u shpreh Mediu.











