Gjykata e Posaçme zhvilloi sot seancën e radhës për një nga dosjet e bujshme që lidhet me bandën kriminale për të cilën akuzohet si drejtues Laert Haxhiu, i ekstraduar nga Greqia vitin e kaluar dhe njëkohësisht rival i Aldo Bares, kreut të “Bandës së Lushnjës”.
Sot ishte hera e dytë që Artan Tafani, i penduari i drejtësisë dhe SPAK, ka dhënë dëshminë e tij para palëve dhe të pandehurve të çështjes, për të gjithë sagën kriminale të organizatës, urdhrat, viktimat, atentatet, pjesëmarrësit dhe motivet.
Herën e kaluar ai rrëfeu për disa krime të rënda dhe vrasje të kryera me udhër të Haxhiut, me motive hakmarrjeje dhe rivaliteti, për shkak të sulmeve që kundërshtarët i kishin bërë ndër vite, duke i vrarë edhe të afërm të tij.
Tafani e nisi dëshminë aty ku e la seancën e kaluar, për vrasjen e Albi Bashaliut, dinamika pas atentatit, fshehja e armës pas çmontimit dhe pagesa 30 mijë euro që e solli në Tiranë babai i Laert Haxhiut:
“Pasi mbaruam punë nuk na ndezi makina “Audi” që kishim. Mora “Benzin” gri me targa greke. Pasi kaluan Kavajën, kam çmontuar armën, në atë kohë kalonin dhe makina të tjera që sduhet të na shikonin që hidhnim pjesë të armës. Kur errdhëm në Tiranë kemi lënë Benzin në Astir dhe për të humbur gjurmë, kemi ecur në këmbë. Kemi marrë 30 mijë euro, na ka sjellë i ati i Laertit, Qamil Haxhiu dhe atë 30 mijë i kemi ndarë në 3 pjesë; unë, Lulzim Arapi dhe Laerti. Këto lekët i ka dhënë një person që e thërrisnin Limi, me të cilin para ngjarjeve fliste Laerti me të”.











