Në një shkrim ekskluziv për “BalkanWeb”, gazetari investigativ Artan Hoxha sqaron në detaje se si futet fara e kanabisit në Shqipëri. Ai tregon se ku prodhohet dhe ku blihet ky produkt deri tek shpërndarja dhe mbjellja në Shqipëri. Hoxha thotë se fara e importuar nga jashtë garanton cilësinë e produktit. Gazetari Hoxha thotë se duke patur parasysh përmasat fare të vogla të farës së kanabisit, është lehtësisht e transportueshme dhe shumë e vështirë për t’u kapur apo dedektuar nga pajisje speciale. “Pjesa dërrmuese e farës së kanabisit hyn në vend në rrugë ajrore, duke përdorur aeroportin e Rinasit, me persona që shkojnë dhe e blejnë në Holandë apo Spanjë”, rrëfen ai.
NGA ARTAN HOXHA
Afro 70% e farës së kanabisit që kultivohet nga narkotrafikantët apo fermerët e thjeshtë, futet në Shqipëri nga Holanda. Pjesa tjetër futet në territorin e vendit nga Spanja. Një pjesë e kultivuesve, kryesisht ata që nuk kanë mundësi financiare të blejnë farën e ardhur nga jashtë apo që nuk kanë lidhjet e duhura për të siguruar këtë produkt, përdorin farën e vendit, e siguruar nga prodhimi i vitit paraardhës. Fara e kanabisit e ardhur nga jashtë, preferohet më tepër pasi është më cilësore, më e sigurt dhe me rendiment më të garantuar se fara e siguruar në vend.
Për shkak të standardeve të larta se si përzgjidhet fara e importuar nga jashtë, ajo garanton cilësinë e produktit. Në të kundërt, fara vendase paraqet disa probleme, pasi përzgjedhja nuk bëhet nga profesionistë të specializuar të agronomisë, por nga kultivues të zakonshëm, të cilët nuk kanë as mjetet e duhura dhe as aftësinë për të garantuar cilësinë e saj.
Një pjese e mirë e kultivuesve që kanë përdorur farën vendase, janë ndodhur para situatave të paparashikuara prej tyre. Kjo për shkak se një pjesë e mirë e fidanëve të prodhuar nga fara vendase kanë rezultuar të jenë bimë “mashkull”, e cila nuk jep prodhim dhe çon dëm investimin.
Shitja e farave të kanabisit në vende si Holanda është e lejuar dhe bëhet nga shitës të licencuar nga autoritetet për këtë aktivitet. Shitësit e farave të kanabisit e bëjnë një gje te tillë pothuaj në qendër të qyteteve kryesore, sidomos në Amsterdam, ku pjesa dërrmuese e këtyre bizneseve është në një nga rrugët më të populluara nga turistët. Çmimi për varietetet e ndryshme të farës se kanabisit varjon në bazë të rendimentit që ajo jep dhe përqendrimit të THC (tetrahidrokanabinoli) përbërësi narkotik.
Nisur nga tabela e çmimeve që disponon emisioni “Xhungël”, të marrë në një nga lokalet kryesore në qendër të Amsterdamit, për çdo varietet kanabisi vlera monetare luhatet nga disa euro (1.5 euro) deri në disa dhjetëra euro (75 euro) për një farë.
Narkotrafikantët shqiptarë duke qenë se blejnë sasi të konsiderueshme farash, nga disa mijëra deri në disa qindra mijëra, ia dalin të ulin çmimin në mënyrë të ndjeshme. Më konkretisht gjatë vitit të kaluar shqiptarët kanë mundur të sigurojnë farë kanabisi në Amsterdam nga 90 cent euro, deri në 2 euro për farë. Gjatë këtij viti çmimi me konkurrues me të cilin narkotrafikantët kanë siguruar farën në Holandë është nga 1.1 euro për fare deri në 1.5 euro për farë (kokërr). Për një sasi prej 10 mijë farash kanabisi, nevojiten nga 11 mijë deri në 15 mije euro në varësi të shitësit ku blihet.
Fara e kanabisit e blerë në Holandë është e sigurt, cilësore dhe mund të rezultojë jo efektive (bimë mashkull) vetëm 1 deri 10 fara në çdo 1000 fara të blera. Kjo e bën këtë lloj produkti mjaft të kërkuar nga narkotrafikantët shqiptare dhe ata tashmë kanë më shumë se një dekadë që janë klient të rregullt të shitësve në Amsterdam.
Ndërkohë një pjesë tjetër, afro 30% e sasisë së farës që futet në Shqipëri, vjen nga Spanja, ku çmimi është më i lirë dhe varion nga 60 cent euro deri në 70 cent euro. Cilësia e farës është e njëjtë me atë që vjen nga Holanda, por është më e lirë, pasi dhe në Holandë fara e kanabisit importohet nga Spanja. Duke patur parasysh përmasat fare të vogla të farës së Kanabisit, është lehtësisht e transportueshme dhe shumë e vështirë për t’u kapur apo dedektuar nga pajisje speciale. Pjesa dërrmuese e farës së kanabisit hyn në vend në rrugë ajrore, duke përdorur aeroportin e Rinasit, me persona që shkojnë dhe e blejnë në Holandë apo Spanjë. Por një pjesë hyn edhe me postë apo në rrugë tokësore. Janë tepër të rralla rastet kur është kapur sasi fare kanabisi duke hyrë në vend, madje më shumë është kapur duke dalë nga Shqipëria nga turistë të huaj.
Gjatë vitit të kaluar, 2016 policia ka deklaruar se ka asgjësuar 2.5 milionë rrënjë kanabisi, shifër kjo që dëshmon se për ta blerë është dashur minimalisht nga 2.5 milionë euro deri në 3 milionë euro.