• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, May 17, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Arsyet që shpjegojnë ndërrimin e beftë të lëkurës së Sali Berishës me drejtësinë

by Desada Metaj
27/11/2025 17:36
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Desada Metaj

Në mes të një konflikti të hapur dhe të ashpër midis drejtësisë dhe qeverisë së Ramës, konflikt i cili duket qartë, është i sinqertë dhe palët janë të qarta në synimet e tyre, i vetmi që mund të përbëjë lajm me kapërcimet e veta pindarike është Sali Berisha. Që dje, por më shumë sot, drejtësia e re ka fituar një mbështetës të flaktë, një avokat të zellshëm, i cili madje kishte edhe studiuar jurisprudencë e gjysmës së vendeve të BE-së, për të dalë si tifozi më i ri fanatik i SPAK.

Po, po, vetë Sali Berisha.

I telendisur nga rezultati i 11 majit, i rrudhur në numra në parlament, me një tufë deputetësh që as nuk e fshehin se halli individual i ka bashkuar në një kasolle, e ku secili sheh ëndrra se ku do jetë pas Sali Berishës që t’i mbrojë vaji i kandilit; i stërlodhur gjatë verës me justifikimin se zgjedhjet ishin farsë – e për pasojë ky nuk duhej të largohej nga kryesimi i PD-së për shkak të nenit “Basha”; dhe i tërhequr për hunde nga Edi Rama në zhvillimet parlamentare (reforma zgjedhore, reforma territoriale dhe reforma kushtetuese) – pra i dorëzuar dhe totalisht pa asnjë kapacitet për të ndikuar në zhvillimet politike në vend – befas, në mes të një tensioni të lartë SPAK–qeveri, shfaqet edhe ai si pjesë e kësaj skene të zhvillimeve në Shqipëri.

Është kjo fotografia panoramike nga e cila mund të ekstraktohen arsyet dhe interesat se përse Berisha, i veshur me petkun e kameleonit, merr këtë pozicion të ri.

Së pari, për arsyet e mësipërme: ai tashmë, me numra të rrudhur dhe nën peshën e stërmadhe të mazhorancës 83-votëshe të Ramës, është vetëm një spektator soditës në periferi të lojës politike në vend. I dorëzuar dhe i frikësuar nga çdo palë zgjedhjesh – qofshin vendore apo të pjesshme, siç ndodhi para tre javësh (kur arriti deri në bojkotimin de facto të tyre, dhe për këtë shkak mori një bojkotim trishtues edhe nga vetë militantët e tij) – tashmë është thjesht hajdut i lavdisë së të tjerëve. Ajo çka ishte shfaqja e tij sot, ishte asgjë më shumë sesa demonstrim i pafuqisë së vet dhe nevojës ulëritëse për të vjedhur nga lavdia e SPAK. Kamerat dhe mediat, shpesh të kapura prej tij, edhe për pak kohë do t’i shkojnë për t’i bërë ritualin e përditshëm në selinë e lodhur të asaj që ai e quan parti, për të dëgjuar të njëjtin refren të mungesës së theksuar të imagjinatës dhe dobësisë së kalbëzimit që e ka vënë poshtë. Sigurisht që hipokrizia është e dukshme edhe në këtë “pozitë të re” të tij. SPAK – apo edhe prokurori konkret që heton çështjen Balluku – është pjesë përbërëse e “grupit të strukturuar kriminal”, siç e quan ai vetë. SPAK ishte deri para gjashtë ditësh “një vegël në dorën e Ramës” e përdorur kundër Ballukut. Altin Dumani është Altin Troplini kur vjen puna te halli i vet me SPAK. Ndaj ujku ka ndërruar vetëm paksa qimen, por jo lëkurën.

Së dyti, nuk mund të mohohet se në ankthet e përnatshme ai sheh ende vizione halucinante se degradimi i brendshëm i pushtetit nën korrupsionin endemik qeveritar dhe lidhjet e kalcifikuara me krimin e organizuar mund të shndërrohet në një mundësi të artë për ringritjen e tij. Shumë fëminor si arsyetim. Vetëm tre javë më parë PS mori një goditje jo të vogël me mos-pjesëmarrjen në zgjedhje që mbështetësit e saj të 11 majit ia dhanë. Pjesëmarrja ekstremisht e ulët dhe më e ulëta në bastionet historike të PS ishte shenjë reale se politikisht PS po e zë pesha e mbi-pushtetit dhe e zullumeve. E megjithatë, Berisha i kërrusur, as që mori pjesë në zgjedhje, i fshehur pas kandidatëve jopolitikë, dhe goditja që ai vetë mori ishte edhe më e rëndë se ajo e PS. Ka dy herë që tenton të bëjë protestë apo “foltore”, duke marrë arratinë larg nga Kuvendi, dhe braktisja e bën të mbajë kokën ulur dhe sytë përdhe, sikur po lexon epitafin e partisë që dikur quhej PD. Për të mos folur për kaotizmin, egoizmin individual dhe luftërat amorale që klanet, grupazhet apo rrymat po gërryejnë çdo ditë edhe atë grusht njerëzish që frekuentojnë herë pas here selinë e SHQUP-it. Shenjat e para të rebelizmit në kasollen që po rrëzohet janë publike tashmë.

Së treti, ai kupton se përplasja drejtësi–qeveri është e fortë. Nuhat që impulsi i ri i SPAK ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, të cilët – pavarësisht rrethanave gjeopolitike që shtyjnë drejt integrimit në BE edhe me sy mbyllur ndaj mangësive të kritereve – kërkojnë prova konkrete dhe reale të funksionimit të plotë të SPAK. Dhe kjo do të thotë prova reale deri edhe në majat e qeverisë së korruptuar. Që do të thotë se një lëvizje tektonike me burim drejtësinë, herët a vonë, natyrshëm do të ndodhë në PS. Ndaj ai po vrapon, në hipokrizinë e vet, të deklarohet në anën e fituesit. Për të fituar ndoshta një indulgjencë penale, në epokën e re politike që po duket në horizont, sic edhe ndonje lojtar i vogël i grupit të tij parlamentar po bën. Kur anija mbytet, minjtë e ndjejnë të parët.

Së katërti, me instinktin hileqar që e karakterizon, ai ka bërë edhe nja dy llogari meskine – si gjithnjë personale. Duke e zhytur edhe GJK-në në debatin e përditshëm partiako-mediatik, po e njollos punën e saj me ngjyrime tifozerie politike. Nëse Rama ia del të triumfojë, GJK do të jetë për të, lodër dhe instrument i Ramës. Nëse Rama dështon, do jetë ai i pari që do dalë të thotë se ishte fitore e opozitës dhe e atij vetë, duke krijuar perceptimin publik të rreshtimit të GJK në radhët e opozitës, duke sjellë kështu të njëjtin efekt rrënues ndaj besueshmërisë së saj dhe të vetë drejtësisë si institucione me prirje politike. Ky është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet drejtësisë.

Së pesti, nuk duhet harruar se ai vetë ka disa hesape të pambyllura ende në GJK. Para disa ditësh ka depozituar kërkesën personale për t’i hequr edhe masën e daljes jashtë shtetit. E me gjasë, nëse Rama fiton në GJK, ai do të gjejë një justifikim më shumë për të rritur presionin publik edhe ndaj GJK-së – me arsyetimin se ashtu si Balluku dhe Rama “shpëtuan” prej GJK, ashtu dhe ai meriton të shpëtojë po prej GJK.

Së fundmi ka dhe një hall jo aq me drejtësinë se me atë copëz ndërgjegje që i ka mbetur dhe i shfaqet në formë makthi për 4 viktimat e 21 janarit.

Kaq i lexueshëm është. Këto janë arsyet që shpjegojnë ndërrimin e beftë të lëkurës së Sali Berishës, tashmë një lojtar i vogël dhe periferik. Megjithatë, siç thonë shqiptarët, çudia më e madhe tre ditë zgjat!

Next Post
Haxhinasto kritika OSBE: Ka 20 vite që merret me reformën zgjedhore dhe nuk u bë asnjëherë

Reforma Zgjedhore/ Haxhinasto: Opozita të kuptojë se s’është për rezultatin e 11 Majit! Çfarë presim nga..

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Grabitja e argjendarisë në Kamëz, si hynë dy të maskuar dhe morën bizhuteritë me vlerë 7 milionë lekë

Grabitja e argjendarisë në Kamëz, si hynë dy të maskuar dhe morën bizhuteritë me vlerë 7 milionë lekë

May 17, 2026
Mbi 150 mijë çështje presin zgjidhje, KLGJ kërkon ndihmë nga Beogradi për stokun e dosjeve

Mbi 150 mijë çështje presin zgjidhje, KLGJ kërkon ndihmë nga Beogradi për stokun e dosjeve

May 17, 2026
PD nuk është më parti e demokratit kuksian

Pse “nacionalisti” Albin Kurti i doli në krah nacionalistit Mickoski për të defaktorizuar shqiptarët?

May 17, 2026
Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, kthehet në shtëpi pas 326 ditësh misioni

Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, kthehet në shtëpi pas 326 ditësh misioni

May 17, 2026
Dy gjysmat e PD me dy drafte/ Zbulohet formula e demokratëve për reformën territoriale: Ja sa bashki më shumë kërkon Alibeaj!

Territorialja/ Deputetja e PS: E rëndësishme që kryetarët të delegojnë kompetencat në njësitë administrative

May 17, 2026
Mediat izraelite: Trump drejt vendimit për Iranin, çfarë pritet të ndodhë brenda 24 orëve

Trump paralajmëron Iranin: Koha po mbaron, veproni shpejt ose nuk do të mbetet asgjë

May 17, 2026
Brexit përçan qeverinë britanike! Laburistët, pro dhe kundër rikthimit në BE

Brexit përçan qeverinë britanike! Laburistët, pro dhe kundër rikthimit në BE

May 17, 2026
“Mezi pres të tregoj…” Bill Gates do të dëshmojë në kongres për dosjen Epstein

Pakistani optimist për negociatat SHBA-Iran! Trump pritet të marrë vendimin përfundimtar brenda 24 orësh

May 17, 2026
Mynyri i rrëmben nga dora hipotekën Eni Çobanit dhe e gris: Është paçavure

Mynyri i rrëmben nga dora hipotekën Eni Çobanit dhe e gris: Është paçavure

May 17, 2026
Irani zgjeron “frontin” e presionit: Nga ngushtica e Hormuzit te rrjetet e internetit

Irani zgjeron “frontin” e presionit: Nga ngushtica e Hormuzit te rrjetet e internetit

May 17, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In