Autoriteti Rrugor Shqiptar ka sqaruar kufizimin e qarkullimit të mjeteve në Urën e Matit, duke mohuar se masa është marrë për shkak të ndonjë dëmtimi të ri të strukturës.
Sipas ARRSH-së, kufizimi është një masë parandaluese dhe sigurie, e ndërmarrë për të garantuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të urës.
Ura e vjetër e Matit i është nënshtruar së fundmi një ndërhyrjeje emergjente për përforcimin e themeleve. Autoriteti thekson se, pas rikthimit në përdorim, ura po përballet me një fluks të konsiderueshëm automjetesh, veçanërisht me mjete të tonazhit të rëndë që tejkalojnë kufirin e lejuar prej 13 tonësh.
“Që prej hapjes së saj, ura është pajisur me sinjalistikën përkatëse, e cila lejon kalimin vetëm të mjeteve me tonazh deri në 13 tonë. Megjithatë, nga monitorimet në terren rezulton se kjo sinjalistikë nuk respektohet në mënyrë të përsëritur, duke krijuar një ngarkesë të panevojshme dhe duke rrezikuar në të ardhmen qëndrueshmërinë e strukturës”, thuhet në reagimin e ARRSH.
ARRSH bën me dije se sinjalistika që kufizon kalimin e mjeteve deri në 13 tonë ka qenë e vendosur që prej hapjes së urës, por monitorimet në terren kanë evidentuar shkelje të përsëritura të këtij kufizimi.
Për të parandaluar kalimin e mjeteve të rënda, ARRSH, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka vendosur elemente betoni në të dyja anët e urës, ndërsa mjetet mbi 13 tonë duhet të përdorin rrugën alternative.
“Për këtë arsye, ARRSH, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka marrë masa shtesë për kontrollin e qarkullimit, duke vendosur elemente betoni në të dyja anët e urës, me qëllim parandalimin e kalimit të mjeteve të rënda që tejkalojnë kufirin e lejuar. Mjetet mbi 13 tonë duhet të përdorin detyrimisht rrugën alternative.
Theksojmë edhe një herë: kjo masë nuk lidhet me ndonjë çedim apo dëmtim të urës, por është një masë e domosdoshme sigurie dhe parandalimi, për të mbrojtur ndërhyrjen e kryer në themelet e saj dhe për të garantuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të strukturës”, thuhet në njoftimin e ARRSH.











