Ish-Drejtori i Tatimeve Ismail Muça është arrestuar nga Policia e Tiranës. Sipas policisë arrestimi i Muçës është bërë për pasi ishte në kërkim dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë arrest në burg për veprën penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, në bashkëpunim, dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose aktiviteteve kriminale”.
Bëhet fjalë për skandalin e tatimeve ku u zbuluar abuzimi me rimbursimin e TVSH-së për bizneset në shifrat e rreth 5 milionë dollarëve.
Ishte kontrolli i brendshëm i Ministrisë së Financave i cili zbuloi të paktën 11 raste abuzimi me skemën e rimbursimit të TVSH. Është fjala për tatim të kthyer ndaj bizneseve në mënyrë abuzive. Shuma e zbuluar, vetëm për periudhën qershor-tetor, sipas njoftimit të Financave, arrin në 515.455.275 lekë ose rreth 5 milionë dollarë. Kjo skemë e mashtrimit me TVSH është zbuluar vetëm gjatë ditës së parë të kontrollit. Denoncimi mban datën 21 tetor dhe është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës.
Në skemën e abuzimit me rimbursimin e TVSH, janë përfshirë ish-drejtori Rajonal Tatimor i Tiranës, Ismail Muça, ish-drejtoresha e Kontrollit Tatimor të Tiranës, Afërdita Hysi, dy ish-përgjegjës të Sektorit të Kontrollit Tatimor në këtë drejtori, Laurent Vata dhe Mirgen Dervishi, si dhe tre inspektorë kontrolli, Kujtim Metalia, Edmond Osmani dhe Gramoz Milushi, si dhe inspektori i ngarkuar për procedurën e rimbursimeve, Tahir Kuka.









