Policia e Shkodrës ka arrestuar tre persona në kuadër të operacionit “Delivery” dhe ka nisur procedimin për një tjetër.
Dy prej tyre u kapën në flagrancë ndërkohë që qarkullonin me motomjet, për të shitur lëndë narkotike në qytetin e Shkodrës.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 17-vjeçarit që drejtonte motomjetin, pa leje drejtimi, dhe ndaj pasagjerit, shtetasit M. M., shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis të ndarë në dhjetëra doza gati për shitje.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. M., ku qëndronin dhe shtetasit P. M. (vëllai i tij) dhe Z. M. (xhaxhai i tyre), shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në rreth 280 doza, me qese farmaceutike, 1 armë zjarri pushkë, 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 4 celularë, të cilat u sekuestruan.
Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. M., 18 vjeç, Z. M., 36 vjeç dhe shtetasi i mitur 17 vjeç si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. M., 20 vjeç.











