Ish-kreu i Kadastrës Fier, Ertis Shehu dhe biznesmeni Kastriot Hasko janë arrestuar nga Policia e Shtetit, me urdhër të Prokurorisë së Fierit.
Burime për Report Tv bëjnë të ditur se prangosja e tyre është kryer në kuadër të hetimeve për një rast të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve të pronësisë në Seman.
Shehu dhe Hasko kanë qenë prej muajsh nën hetim nga Prokuroria e Fierit, ndërsa urdhër-arrestet janë ekzekutuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Tiranë.
Priten detaje të reja në lidhje me hetimin dhe përfshirjen e emrit të ish-zyrtarit të Kadastrës.
Ertis Shehu ka shërbyer si Drejtor i Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Fier në periudhën 2019 – 2021, pra përreth 2 vite.
Emërimi i tij erdhi gjatë reformës së ristrukturimit të zyrave të regjistrimit të pasurive dhe krijimit të ASHK-së.











