Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço i cilësoi si të nxituara deklaratat dhe sulmet e Erion Veliajt ndaj prokurorit dhe gjyqtarit të çështjes ndaj tij. I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Karamuço u shpreh se përplasjet për këtë dosje mund të vijojnë deri në Gjykatën Kushtetuese.
“Do të përplasen deri në gjykatë edhe në zhvillimin e procesit gjyqësor se aty do të ndërtohet prova e vërtetë mes pretendimeve të prokurorit dhe pretendimeve të çiftit Veliaj-Xoxa. E mirëkuptoj edhe mënyrën se si Veliaj e shkruan, sepse nga i pari i Tiranës të përfundosh në qeli nuk është e thjeshtë por nuk duhet të jetë një gjuhë kaq e tepruar për prokurorët se në fund të fundit janë funksionarë publikë. Zoti Veliaj do të ketë hapësirën e nevojshme me anë të mbrojtjes për të thjeshtuar dhe bërë të kuptueshme për publikun se kush janë provat e paraqitura dhe më pas kush janë kundërprovat që hedhin poshtë. Kjo është rrugë e gjatë deri në gjykatën e Apelit, dhe në Gjykatën të Lartë. Mund të shkojë edhe në Kushtetuese. Por të fillosh me tani me aspekte teknike, ë është shumë shpejt dhe mund të vesh në pozitë edhe mbrojtjen tënde. Këto deklarata janë politike por kanë edhe nuance te një sulmi personal ndaj prokurorit Dado dhe gjyqtarit të hetimeve paraprake.”, u shpreh Karamuço.
Duke u ndalur te publikimi i disa fotove nga procesi gjyqësor ndaj Veliajt, Karamuço tha se duhet të nisë një hetim i brendshëm, duke hedhur dyshime se mund të jenë nxjerrë nga funksionarë brenda institucionit.
“Duhet të kenë dalë nga punonjës të atij institucioni. Ndalohet hyrja në kompleksin e madh, pa dorëzuar celularët që kanë një sirtar. Celularët i mban garda poshtë. Celularë mund të mbajë prokurori. Nuk lejohen edhe sendet që mund të përbëjnë objekt përgjimi përveç celularëve. Pasi i dorëzon, kalon në urën e kontrollit dhe në rastet kur ura nxjerr sinjalet e kuqe, kontrollohesh fizikisht në anën e truprojës. Është funksionar ai që i ka nxjerrë, se qytetarët nuk lejohen. Duhet të bëhet hetim i brendshëm sepse ka kamera sigurie gjithandej dhe të kuptohet se kush është personi. Këtë mund ta ketë vetëm efektivët e ruajtjes së rendit të sigurisë nëpër sallat e gjyqit. Funksionarë publike. Këto raste krijojnë një precedentë shumë të keq.“, shtoi ai