Policë e protestues të lënduar, vetura të djegura, objekte të tjera të demoluara është bilanci i demonstratave që plasën pas arrestimit të ish-liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.
Ka mjaftuar vetëm një alarm i partisë më të madhe opozitare, “Vetëvendosje”, se lideri “shpirtëror” i kësaj partie u arrestua nga Policia dhe qindra protestues të barrikadohen para Stacionit Policor në Prishtinë. Menjëherë ka plasur përleshja e aktivistëve më radikalë të LVV-së dhe Policisë, që rezultoi me dhunë deri në momentin kur u dha lajmi se deputeti Kurti u lirua.
Policia gjatë gjithë kohës përdori gazin lotsjellës dhe spërkatësin neutralizues, ndërsa protestuesit përveç gurëve kanë djegur edhe koshat e mbeturinave, si dhe disa vetura zyrtare.
Albin Kurti, deputet i Kuvendit të Kosovës, u arrestua nga Policia me urdhër, siç u tha, të Prokurorisë, pas dyshimit për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Kurti është ndaluar në magjistralen Ferizaj – Prishtinë dhe është shoqëruar për intervistim në Stacionin Qendror të Policisë në kryeqytet. Ai ka qenë bashkë me deputetin dhe shefin e Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, dhe dy aktivistë të tjerë të kësaj Lëvizjeje, që ishin duke u kthyer nga një aktivitet nga Shkupi