Nga Gjergj Erebara
Policia njoftoi të enjten se ka arrestuar dy berberë pasi i kapi duke punuar në një dyqan të vogël në Tiranë, dyqan që nuk qe i regjistruar te administrata tatimore.
Sipas policisë, Taulant Hasanaj, 29 vjeç, u arrestua sepse bëri rezistencë ndaj një inspektoreje taksash ndërsa Indrit Lluka, 33 vjeç, u arrestua pasi “u konstatua se zhvillonte veprimatari ekonomike (berber) i paregjistruar në organet Tatimore”.
Në një aksion tjetër, policia njoftoi se ka ndaluar disa kamionë që transportonin bagëti dhe se ka hapur procedim penal në gjendje të lirë ndaj tregtarëve.
Lajmet për arrestimet i dhanë një kuptim të ri fushatës së paralajmëruar të qeverisë kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal, të njoftuar me bujë më 1 shtator por që u shty për disa ditë pasi autoritetet e gjetën veten të papërgatitur.
Në Elbasan, disa fermerë u përballën me konfiskim të duhanit të hapur që po tregonin pasi autoritetet thonë se kjo tregti e duhanit të prodhimit vendës, ilegale por e toleruar prej dy dekadash, po dëmton të ardhurat e qeverisë.
Në një drejtim tjetër, qeveria prezantoi një set me masa shumë më të ashpra kundër evazionit fiskal me ndryshime të kodin penal. Propozimet, të cilat do të duhet të miratohen në parlament, thonë se evazioni fiskal do të dënohet me deri në tre vjet burg, ndërsa aktualisht dënohej me gjobë deri në një vit burg. Bizneset mund të gjobiten me 10 milionë lekë (71 mijë euro) nëse shesin mallra pa faturë fiskale.
Ekonomia informale në Shqipëri vlerësohet se zë së paku 35 për qind të të gjithë aktivitetit ekonomik në vend. Ka një mirëkuptim të përgjithshëm se lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal është e domosdoshme, por shumë i shohin masat e ndërmarra nga qeveria si disproporcionale dhe joefektive.
Disa vërejnë se në Shqipëri ende asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar për korrupsion megjithëse korrupsioni perceptohet si i gjithëpërhapur ndërkohë që edhe vetë evazioni fiskal perceptohet se kryhet në masë të gjerë nga bizneset e mëdha të cilat kanë lidhje dhe ndikim politik.
Revista Monitor, publikimi i vetëm ekonomik në Shqipëri, në editorialin e saj në numrin e fundit thotë se lufta kundër evazionit fiskal është e nevojshme por klima e frikës që po krijon ky aksion është shumë shqetësues.
Gjobitja e bizneseve me 10 milionë lekë për shitjen pa faturë fiskale nuk ka kuptim sepse një gjobë e tillë mjafton për të falimentuar çfarëdolloj biznesi, tha Monitor në editorilin e saj. Revista shton se nuk arrin të dallojë nëse këto gjoba do të funksionojnë apo thjeshtë do të rrisin mundësinë e taksambledhësve për më shumë ryshfet.
Editoriali paralajmëron gjithashtu se klima e frikës që po krijohet nga fushata do të ketë një ndikim negativ në rritjen ekonomike të vendit dhe në punësim për shkak se bizneset e vogla kanë aktualisht 90 për qind të të punësuarve në vend./BIRN/