Nuredin Dumani, një prej të shumëkërkuarve në Shqipëri është vënë në pranga mbrëmjen e 29 Marsit. Ai u gjet në një apartament në Fier ku po merrte ndihmë mjekësore, pasi më parë dyshohet se ishte e plagosur gjatë një ngjarje që ka ndodhur po atë ditë në aksin rrugor Elbasan-Cerrik, në afërsi të fshatit Papër.
Pas arrestimit, Dumani është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë ku mësohet se është në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Ditën e sotme, në hyrjen kryesore të “Traumës” kanë zbarkuar gjyqtarë dhe prokurorë për t’i komunikuar atij masën e sigurisë.
Gjykata ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”. SPAK e ka marrë të pandehur Nuredin Dumanin për vrasjet në Durrës në Mars dhe Prill të vitit 2020 në Durrës, ku viktimë mbetën vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia si dhe Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdyli. Dyshohet se këto krime, Dumani i ka kryer në bashkëpunim me Talo Çelën, një tjetër i shumëkërkuar në Shqipëri.
SPAK e akuzon Dumanin për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave më shumë se një herë, armëmbajtje pa leje, sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, mashtrim dhe vjedhje të kryer në bashkëpunim.
Megjithatë pas vrasjes së vëllezërve Haxhia, dyshohet se marrëdhënia mes Dumanit dhe Çelës është prishur. Prokuroria e Elbasanit beson se Dumani është ekzekutori i vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.
g.kosovari