Pas marrëveshjes së armëpushimit me Shtetet e Bashkuara, Irani ka nisur të zbusë qëndrimin ndaj trafikut detar, duke lejuar kalimin e kufizuar të anijeve në Ngushtica e Hormuzit.
Sipas një burimi të lartë iranian për agjencinë ruse TASS, autoritetet në Teheran kanë vendosur të lejojnë deri në 15 anije në ditë të kalojnë në këtë korridor strategjik, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit.
Megjithatë, të dhënat nga kompanitë e analizës së transportit si Kpler, Lloyd’s List Intelligence dhe Signal Ocean tregojnë se fluksi mbetet ende shumë i ulët. Në 24 orët e fundit, vetëm një cisternë nafte dhe pesë anije të tjera kanë kaluar përmes ngushticës, duke reflektuar pasigurinë që vijon në rajon.
Para shpërthimit të konfliktit, përmes kësaj rruge kalonin rreth 140 anije në ditë, çka tregon një rënie drastike të aktivitetit detar edhe pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.
Analistët vlerësojnë se, megjithëse kjo lëvizje sinjalizon një hap drejt normalizimit, situata mbetet e brishtë dhe e varur nga zhvillimet politike dhe ushtarake mes palëve.











