• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, April 17, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

“Armatimi i Beogradit është vënë re edhe në Bruksel”, Hoxha: Çdo cenim i sigurisë së Kosovës, cenon edhe sigurinë tonë

by E S
17/04/2026 20:10
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

“Çdo cenim i sigurisë së Kosovës përbën njëkohësisht edhe cenim të sigurisë së Shqipërisë”, thotë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Në një prononcim për Top Channel, ministri nënvizoi se paqja dhe stabiliteti në Kosovë janë një prioritet i përbashkët ndërkombëtar dhe se Shqipëria mbetet e vendosur në mbështetjen e saj ndaj Kosovës në çdo rrethanë.

“Pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim në terren duhet parë në këtë kontekst: Kosova nuk është e vetme dhe paqja në të është një prioritet i përbashkët ndërkombëtar. E kemi thënë dhe do ta përsërisim: çdo cenim i sigurisë së Kosovës përbën njëkohësisht edhe cenim të sigurisë së Shqipërisë”, u shpreh ai.

Reagimi i plotë i ministrit Ferit Hoxha për Top Channel:

Shqipëria ka bërë zgjedhjen të mos reagojë publikisht ndaj deklaratave të përsëritura nga autoritetet më të larta në Serbi, përfshirë Presidentin Vuçiç. Por, megjithateë dua të jem shumë i qartë dhe faleminderit që ma dhatë këtë mundësi:

Së pari, pretendimet për një të ashtuquajtur “aleancë tripalëshe” kundër Serbisë janë të pavërteta dhe tërësisht të ekzagjeruara. Sado me forcë apo në mënyrë të përsëritur të përmendet kjo, nuk e bën të vërtetë. Shqipëria nuk është pjesë e asnjë aleance rajonale apo tjetërsoj të drejtuar kundër ndonjë vendi të rajonit. Ne ndajmë të njëjtën qasje me partnerë dhe aleatë të tjerë rajonalë, përfshirë Kroacinë, për këtë çështje. E vetmja aleancë ku Shqipëria bën pjesë është Aleanca Atlantike, NATO, së bashku me Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe vende të tjera aleate, e cila i ka dyert e hapura edhe për Serbinë.

Politika jonë e jashtme është e bazuar në bashkëpunim, fqinjësi të mirë dhe integrim evropian të rajonit. Në këtë kuadër, çdo bashkëpunim me partnerët tanë synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe mbështetjen për Republikën e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike – jo kundër ndokujt dhe aq më pak kundër Serbisë. Kjo është një zgjedhje sovrane e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, dhe Shqipëria është e gatshme ta mbështesë në mënyrë konstruktive dhe të vazhdueshme.

Së dyti, Shqipëria ka zgjedhur me vetëdije të mos bjerë në logjikën e retorikës së panevojshme e, aq më pak, në atë të përshkallëzimit. Është e lehtë të angazhohesh në përplasje deklaratash, por ka më shumë rëndësi qartësia në qëndrime dhe konsistenca në politika. Ne flasim përmes angazhimit tonë konkret në NATO, në Procesin e Berlinit dhe në çdo nismë, rajonale apo me shtrirje më të gjerë, që synon stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e rajonit. Këto qëndrime ua kemi bërë të qarta edhe bashkëbiseduesve tanë nga Serbia dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë me qetësi, maturi dhe durim.

Së treti, është e rëndësishme të kuptohet se narrativa të tilla shpesh përdoren për diskutime të brendshme apo për të justifikuar politika të caktuara. Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të bëhet pjesë e këtij diskursi, i cili nuk i shërben paqes, besimit dhe bashkëpunimit në rajon. Përkundrazi, ne besojmë se transparenca, bashkëpunimi rajonal dhe respektimi i angazhimeve ndërkombëtare janë rruga e vetme për të ndërtuar siguri të qëndrueshme.

Në të njëjtën kohë, ndërsa mbështet në mënyrë të pakushtëzuar Kosovën, zhvillimin dhe modernizimin e saj dhe avancimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit në rrugën euroatlantike, Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të marrëdhënieve normale dhe konstruktive me Serbinë. Kjo është në pajtim të plotë me qëndrimet tona parimore dhe pjesë e një vizioni më të gjerë për një rajon që, nëse nuk e harron të kaluarën, bën çdo përpjekje për ta kapërcyer atë përmes dialogut, bashkëpunimit dhe integrimit evropian. E kaluara tragjike e Ballkanit është një mësim për të gjithë; e ardhmja e përbashkët evropiane është, në gjykimin tonë, duhet të jetë, i vetmi udhërrëfyes.

Shqipëria mbetet e palëkundur në orientimin e saj strategjik: një rajon i qëndrueshëm, i sigurt dhe i integruar në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, ne do të vijojmë të veprojmë me përgjegjësi, maturi dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke mos u devijuar nga rruga jonë për shkak të deklaratave që nuk pasqyrojnë realitetin, por duke kontribuar në mënyrë aktive për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon.

Me lejo ta coj edhe pak më tej sepse nuk dua kurrsesi të krijohet përshtypja e gabuar së jemi të pavëmendshëm apo, edhe me pak, indiferentë. Kurrsesi.

Eshtë e rëndësishme të ndajmë qartë faktet nga perceptimet. Është e vërtetë që Serbia ka rritur kapacitetet e saj ushtarake dhe ka zhvilluar bashkëpunime në këtë fushë me aktorë të ndryshëm, përfshirë Rusinë dhe Kinën. Kjo është një zgjedhje sovrane e saj. Kjo nuk kalon pa u vënë re, as këtu, as në Bruksel dhe, dua të besoj, as në Uashington. Por njëkohësisht, kjo nuk duhet të përdoret për të krijuar një klimë alarmi apo për të justifikuar përshkallëzime të panevojshme në rajon.

Prej vitesh, në mos dekadash tashmë, Shqipëria nuk e mbështet sigurinë e saj dhe të rajonit mbi retorikë apo në “trashjen e zërit”, por mbi një arkitekturë konkrete sigurie. Ne jemi vend anëtar i NATO-s, pjesë e aleancës më të fuqishme të sigurisë në botë, dhe çdo zhvillim në rajon shihet dhe trajtohet në këtë kuadër. Kjo është garancia më e fortë për paqen dhe stabilitetin.

Lidhur me Republikën e Kosovës, nuk besoj se ka nevojë për ndonje koment shtesë pasi qendrimi ynë esjhte i njohur dhe i qarte: Shqipëria mbështet fort e pa asnje medysheje sovranitetin dhe integritetin territorial të saj dhe dënojmë çdo veprim apo retorikë që cenon stabilitetin në veri apo diku tjetër. Por po aq e rëndësishme është që të ruhet qetësia, të shmangen provokimet dhe të ecet përpara përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Le të mos harrojmë: KFOR është në Kosovë jo për turizëm apo për të hartuar raporte në distancë, por si një instrument kyç i sigurisë ndërkombëtare, i vendosur aty pikërisht për të garantuar dhe konsoliduar paqen dhe stabilitetin në terren. Prania e KFOR-it është një garanci konkrete sigurie, jo vetëm për institucionet e Kosovës, por për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim. Ai vepron në koordinim të ngushtë me autoritetet kosovare dhe me partnerët ndërkombëtarë, për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve dhe për të reaguar në mënyrë të shpejtë ndaj çdo rreziku potencial.

Në këtë kuadër, roli i KFOR-it është thelbësor edhe si faktor parandalues ndaj çdo veprimi që mund të cenojë stabilitetin në veri të Kosovës apo më gjerë. Prania e tij është një mesazh i qartë se siguria në Kosovë dhe në rajon nuk lihet në vakum, por mbështetet në një arkitekturë të fortë ndërkombëtare sigurie, ku NATO dhe aleatët luajnë një rol të pazëvendësueshëm.

Pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim në terren duhet parë në këtë kontekst: Kosova nuk është e vetme dhe paqja në të është një prioritet i përbashkët ndërkombëtar. E kemi thënë dhe do ta përsërisim: çdo cenim i sigurisë së Kosovës përbën njëkohësisht edhe cenim të sigurisë së Shqipërisë.

Përgjigjja ndaj çdo tendence për militarizim nuk është imitimi i saj në mënyrë të pakontrolluar, por forcimi i bashkëpunimit me aleatët, rritja e kapaciteteve tona mbrojtëse në mënyrë të përgjegjshme dhe investimi në stabilitet afatgjatë. Shqipëria po bën pikërisht këtë. Si pjesë normale e zhvillimit të vendit, edhe Shqipëria po zhvillon industrinë e saj të mbrojtjes, në bashkëpunim të ngushtë me vendet partnere dhe aleate. Madje, ky ishte edhe një nga fokuset e vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Itali. Po ashtu, vetëm para dy ditësh kemi zhvilluar në Bruksel raundin e dytë të dialogut të nivelit të lartë në kuadër të partneritetit për mbrojtje dhe siguri me Bashkimin Evropian.

Shqipëria është duke negociuar për anëtarësimin në BE dhe, në këtë kuadër, prej vitesh është një partner i vyer për Bashkimin Evropian në fushën e paqes, sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe një pjesëmarrës aktiv në Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së, duke kontribuar konkretisht në misionet dhe operacionet e saj, në funksion të stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar dhe në forcimin e arkitekturës së sigurisë evropiane.

Në fund, dua të theksoj se paqja nuk është dobësi dhe qetësia nuk është mungesë reagimi. Përkundrazi, është një zgjedhje strategjike. Shqipëria nuk do të bëhet pjesë e retorikave që ushqejnë tensione, por do të vijojë të jetë një faktor stabiliteti, duke vepruar me maturi, në koordinim të plotë me aleatët dhe me fokus të qartë: sigurinë, paqen dhe të ardhmen evropiane të rajonit.

Next Post
Detaje nga plagosja me armë zjarri e 45-vjeçarit, shkak konflikti mes fqinjëve në Tiranë

Detaje nga plagosja me armë zjarri e 45-vjeçarit, shkak konflikti mes fqinjëve në Tiranë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

VIDEO/ Familja Berisha në protestë: Shkëlzeni, Argita dhe Jamarbër Malltezi shkojnë te Kuvendi

VIDEO/ Familja Berisha në protestë: Shkëlzeni, Argita dhe Jamarbër Malltezi shkojnë te Kuvendi

April 17, 2026
Incidentet në protestën e PD, disa persona marrin ndihmë mjekësore

Incidentet në protestën e PD, disa persona marrin ndihmë mjekësore

April 17, 2026
Berisha bëhet nostalgjik për Enver Hoxhën, propozon votim me detyrim

Berisha bëhet nostalgjik për Enver Hoxhën, propozon votim me detyrim

April 17, 2026
Përplasja me protestuesit, një polic i plagosur mbërrin te Truma

Përplasja me protestuesit, një polic i plagosur mbërrin te Truma

April 17, 2026
“Epsteini” ynë

Një opozitë që kërkon njerëz dhe një popull që kërkon opozitë

April 17, 2026
Pas nisjes së tensioneve, Berisha futet me shpejtësi në makinë, largohet nga protesta

Pas nisjes së tensioneve, Berisha futet me shpejtësi në makinë, largohet nga protesta

April 17, 2026
Protesta e PD-së, Noka lëndohet nga gazi lotsjellës

Protesta e PD-së, Noka lëndohet nga gazi lotsjellës

April 17, 2026
Molotov dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë, policia ndërhyn menjëherë dhe shoqëron protestuesit

Molotov dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë, policia ndërhyn menjëherë dhe shoqëron protestuesit

April 17, 2026
A do të garojë për kreun e PD-së? Argita Malltezi përgjigjet nga protesta para Kryeministrisë

A do të garojë për kreun e PD-së? Argita Malltezi përgjigjet nga protesta para Kryeministrisë

April 17, 2026
Berisha sfidon Ramën nga protesta: Zgjidh studion televizive dhe hajde në debat

Berisha sfidon Ramën nga protesta: Zgjidh studion televizive dhe hajde në debat

April 17, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In