Arka e shtetit po mbushet, por jo më vetëm nga shtrenjtimi i çmimeve. Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se në 5-mujorin janar-maj, u futën në buxhet gati 258 miliardë lekë apo rreth 2.4 miliardë euro të ardhura, shifër kjo 10.5 për qind më e lartë se një vit më parë.
Të dhënat nga financat tregojnë se pjesa më e madhe e parave shtesë të arkëtuara po vjen nga fitimet që kompanitë realizuan nga rritja e xhiros së tyre vitin e shkuar. Ndërsa presionet për të rritur pagat e të punësuarve, po derdhin më shumë taksa mbi të ardhurat e tyre. Me rritje në harkun e muajve janar-maj janë edhe arkëtimet nga kontributet shoqërore, si pasojë edhe e rritjes së pagës minimale dhe asaj maksimale.
Teksa inflacioni në tërësi po sjell më shumë të ardhura nga TVSH-ja e brendshme, rënia e euros dhe stabilizimi i çmimit të lëndëve të para, si karburantet po sjellin një efekt të kundërt në TVSH-në e importit. Në 5 muaj, shteti arkëtoi nga kjo taksë mbi 7 milionë euro më pak nga sa kishte planifikuar në buxhet.
Ecuria në tërësi e kënaqshme e të ardhurave, por edhe fushata elektorale e para zgjedhjeve të 14 majit e kanë lejuar qeverinë të shpenzojë më shumë. Paratë e investuara në punë publike në janar-maj llogariten në 221.7 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 7.6 miliardë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Me gjithë rritjen e shpenzimeve, niveli më i lartë i të ardhurave ka bërë që ekonomia e vendit në janar-maj të mbyllet me një bilanc pozitiv prej 26.2 miliard lekësh.
/f.stafa